Rajon
Bërnabiç mandatohet sërish për kryeministre
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç propozoi Ana Bërnabiçin në postin e kryeministres së Qeverisë së re të Serbisë, më 27 gusht.
Bërnabiç ka qenë në krye të Qeverisë serbe në mandatin e kaluar, e mandatuar nga partia në pushtet, Partia Përparimtare Serbe.
Qeveria serbe zgjidhet në Kuvend pas propozimit të kandidatit për kryeministër. Kuvendi më pas voton për zgjedhjen e kabinetit qeverisës. Partia Përparimtare Serbe (SNS) së bashku me partneren e saj tradicionale, Partinë Socialiste të Serbisë, kanë shumicën në Kuvend.
Vuçiç tha se ai pret që Qeveria të formohet në 20 ditët e ardhshme.
Ai njoftoi se kryetari i Novi Sadit, Millosh Vuçeviç nga SNS-ja do të jetë zëvendëskryeministër, ndërkaq Ivica Daçiq nga Partia Socialiste do të ketë një rol shumë të rëndësishëm në Qeveri dhe do të jetë koordinator i shërbimeve të sigurisë.