Connect with us

Aktualitet

Merrnin inerte nga shtrati i lumit Mat, vihen nën hetim dy persona

Dy persona janë vënë nën hetim, pasi kanë gërryer me mjete të rënda shtratin e lumit Mat dhe atë të përroit të fshatit Xibër, me qëllim marrjen e kundërligjshme të inerteve. Uniformat blu kanë sekuestruar dy ekskavatorë dhe një kamion, që përdoreshin për kryerjen e kësaj paligjshmërie.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me ato të Policisë Klos, dhe me strukturat e IMT-së, pas informacioneve të siguruara për dy raste të krimeve mjedisore, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorëve.

“-Në shtratin e lumit Mat, u konstatua një ekskavator në pronësi të një personi me iniciale A.Gj., i cili dyshohet se përdorej për të gërryer shtratin e këtij lumi, me qëllim marrjen e inerteve, në kundërshtim me ligjin.

-Në shtratin e përroit të fshatit Xibër, u konstatuan një ekskavator dhe një kamion në pronësi të qytetarit me iniciale B. K., të cilat dyshohet se përdoreshin për të gërryer shtratin e këtij përroi, me qëllim marrjen e inerteve, si dhe për transportimin e inerteve të përfituara në kundërshtim me ligjin.

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për A. Gj., 48 vjeç, banues në Burrel dhe B. K., 37 vjeç, banues në Klos, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”.

Vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme”.

Advertisement