Politike
Meta: Ekonomia e drogës po falimenton bizneset e ndershme
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka deklaruar se ekonomia e drogës po falimenton bizneset e ndershme.
Në një reagim të gjatë në “Facebook”, Meta thotë se zhvlerësimi i paprecedentë i euro-s mbi 14% në pak muaj është një goditje fatale edhe ndaj bizneseve prodhuese dhe eksportuese.
“I bëj thirrje në mënyrë të posaçme Bankës së Shqipërisë për të luajtur rolin e duhur të “garantuesit” dhe “gardianit” të stabilitetit financiar në vend”, shprehet ai.
Gjithashtu ai shton se këto biznese po falimentojnë pasi u janë zeruar tashmë fitimet e tyre për shkak të pagesave që marrin në Euro nga partnerët ndërkombëtarë.
REAGIMI I PLOTË:
EKONOMIA E DROGËS, PO FALIMENTON BIZNESET E NDERSHME.
Mbështes plotësisht qëndrimin dhe shqetësimet e drejta të shoqatave të biznesit për të ndalur “spekulimin e madh” me kursin e këmbimit duke varfëruar pjesën dërmuese të shqiptarëve, që mbijetojnë me dërgesat e familjarëve, të cilëve fuqia blerëse u është ulur të paktën 14% vetëm nga zhvlerësimi i Euro-s, pa llogaritur inflacionin e ushqimeve bazë që akoma është dyshifror.
Zhvlerësimi i paprecedentë i Euro-s mbi 14% në pak muaj është një goditje fatale e ekonomisë të drogës edhe ndaj bizneseve prodhuese dhe eksportuese të cilat po falimentojnë pasi u janë zeruar tashmë fitimet e tyre për shkak të pagesave që marrin në Euro nga partnerët ndërkombëtarë. Janë të paktën 250 mijë punonjës që janë të lidhur direkt apo indirekt me prodhimin vendas dhe eksportuesit shqiptarë, të cilët janë në prag të humbjes së vendeve të punës.
Paradoksalisht edhe bizneset hoteliere janë në vështirësi financiare për shkak se kontratat e tyre me operatorët turistikë janë bërë kur Euro ishte 14% më e vlerësuar se sot. Pra, e gjithë ekonomia po humbet të ardhura, ndërsa vetëm Qeveria dhe vetëm një grusht importuesish po fiton nga ky kurs i këmbimit për të paguar më lirë borxhin e jashtëm dhe për të shtuar fitimet në xhepat e importuesve.
I bëj thirrje në mënyrë të posaçme Bankës së Shqipërisë për të luajtur rolin e duhur të “garantuesit” dhe “gardianit” të stabilitetit financiar në vend.
Banka e Shqipërisë ka mekanizmat për të ndikuar në ekulibrimin e kursit të këmbimit dhe nuk duhet të mjaftohet duke e lënë këtë çështje thjesht si një “çështje e tregut të lirë”. Banka e Shqipërisë duhet të japë sinjale të qarta se cilat janë pritshmëritë e kursit të këmbimit në ditët dhe muajt në vazhdim.
Gjithashtu duhet të ketë një diskutim të shëndoshë edhe për alternativa apo opsione të regjimeve të ndryshme të kursit të këmbimit, për mbajtjen në një ekuilibër të shëndoshë të kursit të këmbimit. Një gjë është e qartë, që fajtori kryesor i kësaj situate është Qeveria dhe partneriteti i saj me paranë kriminale, që po “përmbyt” tregun vendas me valutë të huaj. Nëse nuk dëgjohet zëri i qytetarëve dhe biznesit sot, nesër do të jetë shumë vonë për të shpëtuar falimentin e bizneseve dhe humbjen e vendeve të punës për mijëra qytetarë.