Politike
Rama e zbulon: Samiti i NATO-s nuk do mbahet në Tiranë vitin e ardhshëm…
Kryeministri Edi Rama ka komentuar në Dublin rrugëtimin europian të Shqipërisë, si dhe mundësinë që Tirana të presë samitin e ardhshëm të NATO-s. Në një prononcim për mediat para samitit, Rama bëri të ditur se Shqipëria projektohet si vendi pritës i samitit të Aleancës në vitin 2028.
Kreu i qeverisë sqaroi se ende nuk është arritur një dakordësi përfundimtare për datën e zhvillimit të samitit, ndërsa përjashtoi mundësinë që ai të mbahet në vitin 2027. Sipas Ramës, nëse samiti zhvillohet në vitin 2028, ai do të organizohet në Tiranë.
I pyetur nëse ndihet i frustruar nga zhvillimet lidhur me integrimin europian, Rama u shpreh se nuk ka arsye për një ndjesi të tillë. Ai tha se ndihet i kënaqur dhe i privilegjuar që është pjesë e këtij procesi, duke nënvizuar se Bashkimi Europian mbetet qendra e rëndësisë politike dhe ekonomike të kontinentit.
“Shqipëria projektohet si mikpritësja e ardhshme e samitit të NATO-s. Çështja është që nuk është arritur një qëndrim i përbashkët se kur do të zhvillohet samiti. Është e sigurtë jo në 2027. Në 2028 nëse do të ketë një samit, do të zhvillohet në Tiranë dhe kjo s’ka asnjë dyshim dhe gjithçka që thuhet pastaj rreth kësaj, janë të gjitha gjepura.
A ndihem i frustruar? Po pse duhet të jem i frustruar? Jam shumë i kënaqur, i nderuar dhe i privilegjuar që jam pjesë dhe nuk ka të bëjë fare me të qenit i dëshpëruar. Sigurisht që Bashkimi Europian është qendra e rëndesës së këtij kontinenti dhe është gjëja më normale”, tha Rama