Connect with us

Kosova

Shpërndarja e teksteve/ Haradinaj: Do t’i kushtojë Kosovës 6 milionë euro…

Vendimi i Ministrisë së Arsimit për sigurimin e teksteve shkollore është i kundërligjshëm, shuma e ndarë 50 për libra dhe 30 për pajisje tjera shkollore, nuk është e mjaftueshme, aplikimi po del të jetë problematikë, e tekstet e vjetra shumica janë të papërdorshme. Këto janë disa gjetjet në terren nga grupi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Grupi parlamentar i AAK-së, në kuadër të ciklit të diskutimeve lidhur me ‘gjendjen e rëndë në vend’, në tryezën e diskutimit bashkë disa Drejtori të Arsimit dhe SBAShK-un, kanë mbajtur një tryezë diskutimi me temë për situatën në arsim pas vendimit të fundit në lidhje me sigurimin e teksteve shkollore. Aty u prezantuan disa nga të gjeturat qe kanë hasur në terren nga fillimi i vitit shkollor.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ky vendim nga MAShT-it, është shqetësues e i gabuar. Sipas tij, kjo formë e pajisjes me libra i kushton shtetit 12 milion, pra mbi gjashtë milionë euro më shumë se viteve te kaluara.

“Disa shqetësime lidhur me arsimin i kemi ndarë të gjithë, statusi financiar i mësimdhënësve, është vështirë të kërkohet cilësia e angazhimet nëse nuk e jep mbështetjen, trajtimin meritor financiar të mësimdhënësve… Na ka ardhë keq që në kohen e grevës trajtimi nuk ka qenë meritor dhe ai negocimi për 50 euro, lënia e shkollave mbyllur, ka qenë një situatë jo e mirë, poashtu më ka ardhë keq për sindikatën që e kanë trajtuar në mënyrë poshtëruese… Jemi të shqetësuar me situatën me tekstet, nuk kemi dashtë të ndërhymë në marrëdhënien me mësimdhënës, prindër e fëmijë. Na shqetëson mënyra si është shpjeguar kjo çështje, të paktën nuk kishte një sinqeritet të dalin e të shpjegojnë, sikur të kishte ndodh një ofertë e drejtë e me kohë, tekstet Kosova i kish siguruar me kosto më të arsyeshme. Në mënyrën si po implementohet sot, shpërndarja e tekstit do të kalojë 12 milionëshin, pra në 4 e 6 që ka qenë kostoja, po e kap 12 milion, që i bie gjashtë deri në tetë milion është kostoja më e shtrenjtë, do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës më së paku 6 milion më shtrenjtë, dhe nuk kemi marr shpjegim. Ekziston rreziku që fëmijëve t’i mungojnë tekstet gjatë gjithë vitit shkollor, kush e garanton qe të gjithë fëmijët i kanë tekstet”, tha Haradinaj.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj derisa ka ngritur disa nga shqetësimet që po përballen mësimdhënësit, shtoi se vendimi i MAShT-it për sigurimin e teksteve shkollore po rezulton të jetë mjaftë problematik.

“MAShT-i ka zgjedh mënyrën më të mbrapshtë, më të keqe rreth teksteve shkollore. Nëse Qeveria Kurti nuk paska mjete për lloptop e projektor për shkolla që kanë nevojë sot qe duhet t’i ngjajmë shekullit XXI, konsideroj se tekstet shkollore është dashur të jenë të reja nga klasa një deri tek e nënta. Dhe deklarata e ministres Nagavci ishte skandaloze kur tha se po e ruajmë buxhetin e Kosovës, harronte qe librat janë në librari e do e rrisin çmimin. Dhe e lus Haradinaj që ta ngritni zërin në Parlament për arsimin në tërësi dhe jo vetëm për tekstet…Ka shtatë muaj qe Nagavci mban inatin në greva e nuk na takon. Paska ndonjë mësimdhënës që po bënë presion që nuk kanë tekste, dhe ju kisha lut që të kenë kujdes për këta nxënës që nuk kanë tekste, sepse ata nuk janë fajtor”, tha Jasharaj.

Jasharaj po ashtu tha se shqetësim tjetër është se arsimi po përballet me punëtorë me sëmundje të rënda, të cilët detyrohen të dalin në shkollë për të ruajtur vendin e punës e pagën, për çfarë kërkoi të ndahet buxhet për këta mësimdhënës, dhe në vend të këtyre të aktivizohen kuadro të reja.

Ndërkaq, kryetari i grupit parlamentar në këtë parti, Besnik Tahiri ka renditur disa nga gjetjet që kanë hasur në terren nga fillimi i vitit shkollor.

“Ajo që ne kemi si gjetje të parë është se ky vendim është i kundërligjshëm, që bie ndesh me ligjin që ju garanton nxënësve që tekstet shkollore të jepen falas. Shuma 50 për tekste dhe 30 për fletore nuk mjafton, vetëm për klasën e parë janë mbi 70 euro që kushtojnë vetëm tekstet shkollore, gjetjet qe ne kemi është se aplikimi për një numër të madh të qytetarëve është i vështirë, pak a shumë është i pa mundshëm dhe nuk ka mundësitë të ndodhë pa një asistim të dytë, dhe për rrjedhojë ka probleme në kërkesën që Qeveria e ka bërë me këtë vendim të kundërligjshëm. Tekstet e vjetra shumica e tyre janë të papërdorshme, që nënkupton se prindërit sërish po shkojnë të blejnë tekste të reja, një numër i teksteve të vjetra as nuk është në shkolla për shpërndarje. Derisa është bërë një javë prej kur ka filluar mësimi shumica dërmuese e shkollave nuk i kane kompletuar të gjitha tekstet. Një numër i caktuar i familjeve, kanë probleme serioze me xhirollogari, për shkak se disa janë të bllokuara e disa kanë obligime në banka, dhe ajo shumë merret pastaj, ndërsa një numër as nuk kanë të hapura. Cili është instrumenti që garanton, e penalizon një prind që ato para për arsyeje të ndryshme që nuk i qon në destinacione tjera”, tha Tahiri.

Edhe drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumonva-Baçi konsideron se vendimi i MAShT-it, është tejet i gabuar.

Baçi derisa tha se rreth 45 për qind e nxënësve janë pa libra, shtoi se shqetësuese është edhe fakti që ka prindër të papërgjegjshëm nga diaspora qe po aplikojnë t’i marrin paratë që janë të dedikuara për fëmijët e Kosovës.

“Komuna e Gjakovës ka 45 shkolla, dhe ka mbi 15 mijë nxënës, dhe për momentin gjenda aktuale është se në nivelin e parë deri në pestë i kemi mbi 5 mijë nxënës dhe nga ata mbi dy mijë janë pa libra ose 45 për qind, pa tekste shkollore, me arsyeje të shumta, prindërit pa xhirollogari bankare që janë raste sociale, prindër me xhirollogari bankare të bllokuara, fëmijët me nevoja të veçanta që nuk i pranohet aplikimi, pra nuk ka qasje në platformë. Fenomeni tjetër është aplikimi nga diaspora që po bëhet nga prindër të papërgjegjshëm dhe po marrin mjetet që janë të dedikuara për fëmijët tanë… Librarit poashtu po keqpërdorin kohë pas kohë dhe po shesin tekste tjera kur prindërit nuk janë në dijeni dhe nuk kanë listë të teksteve“, tha Baçi.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka ekzekutuar rreth 13 milionë euro për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore nga klasa e 1-9.

Advertisement