Connect with us

Aktualitet

Mbrojti shokun e tij Martinin/ Ja si paraqitet gjendja e Luisit, reagon Spitali i Traumës

Spitali i Traumës ku po trajtohet shoku i Martin Canit, Luis Meçe ka dhënë informacione të reja lidhur me gjendjen shëndetësore të 14-vjeçarit.  Në njoftimin e tyre, thuhet se pas stabilizimit të gjendjes fillestare, i mituri është shtruar për të vazhduar trajtimin në pavionin e Kirurgjisë së Përgjithshme. Po ashtu bëhet me dije se Luisi ka marrë edhe mbështetje psikologjike nga psikologët.  Më tej thuhet se gjendja e 14-vjeçarit paraqitet e mirë dhe deri tani nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës.

NJOFTIMI I PLOTË:

Informacion për interesin publik, nisur nga aludimet për mungesën e shërbimit ndaj pacientit 14 vjeçar i plagosur pranë Shkollës “Fan Noli”:

Në lidhje me rastin e pacientit 14- vjeçar i cili ka mbërritur në Spitalin Universitar të Traumës më 18 nëntor, dëshirojmë të bëjmë me dije se ekipi mjekësor i Pranim Urgjencës i ka dhënë pacientit shërbimin mjekësor të nevojshëm dhe pas stabilizimit të gjendjes fillestare ai është shtruar për të vazhduar trajtimin në pavionin e Kirurgjisë së Përgjithshme.

Përveç kujdesit mjekësor intensiv, pacienti ka marrë edhe mbështetje psikologjike nga psikologët. Gjatë qëndrimit në spital, ndaj 14- vjeçarit janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore për trajtimin fizik dhe psikologjik, dhe gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm.

Në momentin që ka qenë i nevojshëm dhe i mundur, pacienti ka filluar trajtimin fizioterapik, i cili është në vijim dhe ka dhënë rezultate pozitive. Aktualisht, gjendja e pacientit paraqitet e mirë dhe deri tani nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës.

Mirënjohje për ekipin mjekësor dhe të gjithë specialistët që po ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së pacientit dhe sigurojmë publikun që Spitali Universitar i Traumës vazhdon të ofrojë kujdes mjekësor të specializuar dhe gjithëpërfshirës për të gjithë pacientët.

Plagosja e shokut të Martin Canit/ Spitali i Traumës: Gjendja e

14-vjeçari i cili mbeti i plagosur në sherrin me thikë ku vdiq shoku i tij i ngushtë Martin Cani ka bërë po ashtu sot apel për ndihmë. Luis Meçja, ka hapur një faqe GoFundMe ku kërkon ndihmë financiare, pasi nuk përballon dot shpenzimet financiare për t’u kuruar. I mituri në mesazhin e tij shkruan se ka marrë katër goditje me thikë në stomak, shpinë dhe në mushkëri. Gjithashtu Meçja shprehet se ka një javë në spital, por prindërit e tij janë të varfër dhe nuk paguajnë dot spitalin, psikologun, fizioterapistin.

Mund të ndihmoni Luisit duke klikuar në këtë link

Çfarë dihet deri tani për vrasjen e Martin Canit?

Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 tetorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Përlleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare Fan Noli. Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj. Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani.

Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. I plagosur nga ky sherr ka mbetur edhe shoku i ngushtë i viktimës, i cili nuk mësonte në të njëjtën shkollë me to, po stërviteshin në të njëtin klub futbolli. I plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili po trajtohet në një spital privat. Pak çaste pas krimit të rëndë autori kishte postuar foto me thikën më të cilin autori kreu vrasjen dhe dorën e tij e gjakosur që u plagos gjatë konfliktit. Po ashtu edhe në aplikacionin “Snapchat”, kishte publikuar një tjetër foto ku shihet i pashqetësuar për krimin që ka kryer.

Bazuar në imazhe, autori ndodhej në një makinë, të cilët dyshohen se e kanë (persona të tjerë) marrë atë nga vendngjarja, menjëherë pas krimit që kishte kryer. Ata që kanë marrë autorin e mitur nga vendi i ngjarjes, dyshohet se janë lajmëruar nga vetë ai dhe kanë ardhur me automjetet e tyre nga Sauku. Sipas informacioneve, ky grup nga Sauku rezultojnë të përfshirë edhe në konflikte të tjera.

Advertisement