Aktualitet
Kontroll lokaleve të natës, ngjarja në Koçan nxit zjarrfikësit në Shqipëri të rrisin vigjilencën

Ngjarja tragjike në klubin e natës në Koçan të Maqedonisë së Veriut që i mori jetën 59 personave dhe plagosi 155 të tjerë, ka vënë në lëvizje dhe institucionet shqiptare.
Kontrollet në klubet e natës në kryeqytet janë shtuar për masat e mbrojtjes nga zjarri. Lokalet e natës, njëjtë si të gjitha bizneset duhet të pajisen me certifikatën e sigurisë nga zjarri. Por jo të gjitha bizneset e bëjnë një kërkesë të tillë para nisjes së aktivitetit, ndaj për këtë arsye kryhen inspektime të herëpashershme.
“Ne që atë natë jemi vënë në lëvizje dhe kemi qenë me grupin e inspektimit në lokalet e natës ku kemi parë masat e mbrojtës nga zjarri dhe u kemi lënë detyra përkatëse dhe do të përmirësohen. Në fundjavë kemi programuar inspektim për lokalet që punojnë vetëm në fundjavë dhe që kanë përmasa më të mëdha. Ditën e enjte, të premte do të jemi në inspektim edhe tek këto biznese”, shprehet Shkëlqim Goxhaj, Drejtor i shërbimit zjarrfikës Tiranë.
Për tu pajisur me certifikatën e sigurisë, duhet që klubet e natës të plotësojnë disa kritere, duke nisur që nga materialet e përdorura në ndërtimin e objektit.
“Që në fillimin e ndërtimit të objektit materialet që përdoren nuk duhet të jenë materiale që shërbejnë si burim zjarri, nuk duhet të jenë materiale që përcjellin zjarrin. E rëndësishme është që në këto objekte të ketë më shumë se një dalje. Për këtë ne i referohemi dhe numrit të qytetarëve që janë në këto objekte që janë norma të komunitetit europian. Deri në 50 veta ne duhet të kemi dy porta, pastaj me shtimin e numrit 100,200,500,1000, këto porta duhet të jenë të përmasave më të mëdha dhe mbi 500 veta duhet të kenë më shumë se dy porta. Duhet të kenë ndriçim edhe kur nuk ka energji elektrike, duhen tabela që tregojnë daljen në raste emergjencash dhe gjithashtu edhe fikse të zjarrit që përdoren nga punonjësit e shërbimit, të cilët duhet të kenë njohuri që ti përdorin këto fikse. Ngjarjet në këto objekte ne pothuajse i kemi zero”, shton më tej Goxhaj.
Deri më tani në vendin tonë fatmirësisht nuk ka pasur incidente të zjarreve, pavarësisht kësaj administratorët e klubeve duhet të respektojnë të gjitha masat e sigurisë.

