Bota
Zyrtari izraelit: Morëm dritën jeshile nga SHBA-të për të sulmuar Iranin

Edhe pse Presidenti Trump po ndiqte një marrëveshje bërthamore me Iranin, Izraeli po përgatitej për këtë sulm – duke mbledhur inteligjencë, duke pozicionuar asete dhe përfundimisht duke kryer stërvitje.
Kështu bën të ditur faqja e lajmeve Axios.
Këto përgatitje alarmuan disa zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë, të cilët u shqetësuan se Netanyahu mund të vepronte edhe pa dritën jeshile nga Trump.
Dy zyrtarë izraelitë i pohuan Axios se Trump dhe ndihmësit e tij “po bënin sikur po kundërshtonin një sulm izraelit në publik” – dhe nuk e shprehën kundërshtimin privatisht.
“Ne kishim një dritë jeshile të qartë nga SHBA-të”, pohoi njëri prej tyre.
Izraeli ka nisur një sulm ndaj Iranit që synon “dhjetëra” objektiva, përfshirë objektet e tij bërthamore.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se sulmi, i quajtur Rising Lion, do të zgjaste “shumë ditë” dhe kishte për qëllim “zvogëlimin e kërcënimit iranian ndaj mbijetesës së Izraelit”.
Ai sugjeroi se operacioni mund të jetë i gjatë dhe i vështirë, duke thënë se “qytetarët izraelitë mund të duhet të qëndrojnë në zona të mbrojtura për periudha të gjata kohore”.
Netanyahu tha se një objektiv ishte objekti bërthamor Natanz, një vend kyç për pasurimin e uraniumit.
Një zëdhënës ushtarak izraelit i tha Reuters se 100 dronë po shkonin drejt Izraelit dhe përpjekjet për t’i rrëzuar ato ishin duke u zhvilluar.
“Na presin disa orë të vështira”, tha zëdhënësi. Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi një “situatë të veçantë” në Izrael pasi vendi nisi sulmet dhe tha se Izraeli priste hakmarrje.
Aeroporti Ben Gurion i Tel Avivit u mbyll deri në njoftim të mëtejshëm dhe njësitë e mbrojtjes ajrore të Izraelit qëndruan në gatishmëri të lartë.
Komandanti i Gardës Revolucionare, Hossein Salami, është vrarë në sulme dhe selia e njësisë në Teheran është goditur.
Garda Revolucionare tha se Izraeli do të paguajë një çmim të lartë për sulmin e saj.
Sulmet izraelite vranë gjithashtu gjeneralin Mohammad Bagheri, shefin e shtabit të forcave të armatosura të Iranit, sipas raportimeve të televizionit shtetëror iranian.
Forcat Ajrore Izraelite sulmojnë një fabrikë raketash në Shiraz
Raportimet nga Irani tregojnë se Izraeli ka rinisur sulmet ndaj vendit. Forcat Ajrore Izraelite kanë sulmuar një fabrikë raketash në Shiraz, sipas Channel 12.
Raportimet nga Irani tregojnë se Izraeli ka rinisur sulmet ndaj vendit.
Agjencia iraniane Fars raporton për sulme në Tabriz, pranë aeroportit të qytetit.
“Pak minuta më parë, shpërthime të reja u dëgjuan në Azerbajxhanin Lindor”, thotë televizioni shtetëror.
Agjencia e lajmeve Tasnim thotë se një valë e mëparshme sulmesh kishte goditur 10 vende në provincë, duke vrarë të paktën tre persona.
Televizioni shtetëror raporton gjithashtu se një këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem Ajatollah Ali Khamenei u plagos gjatë sulmit të Izraelit gjatë natës.
“Ali Shamkhani, një këshilltar i udhëheqësit suprem… u plagos në sulmin e sotëm nga regjimi sionist”, thuhet në të.

