Connect with us

Politike

Samiti BE-Ballkan Perëndimor/ Rama: Anëtarësimi i Shqipërisë të përshpejtohet politikisht

Kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme për samitin e BE-Ballkani Perëndimor, i cili u zhvillua në Bruksel disa ditë më parë. Gjatë podcast-it të tij “Flasim”, Rama u shpreh se  Shqipëria u gjend në kushtet më të mira në sytë e Europës, si rezultat i punës së madhe dhe arritjeve positive.

Kryeministri deklaroi se ka theksuar, se hapja e të gjithë kapitujve të negociatave për vendin përbën një inkurajim shumë të madh, por ka përsëritur domosdoshmërinë që Komisioni Europian të respektojë marrëveshjen për përfundimin e negociatave brenda 2027. Kjo sipas tij, duke nënvizuar se anëtarësimi i Shqipërisë dhe i vendeve të tjera të Ballkanit duhet të përshpejtohet politikisht.

Në fund, Rama tha se  Shqipëria do t’i vazhdojë reformat modernizuese dhe do t’i vazhdojë pa u lëkundur përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

“Samiti i BE-Ballkani Perëndimor, u zhvillua në Bruksel, një tjetër pikëtakimi e Shqipërisë me Europën në nivelin më të lartë, ku u bë bilanci i progresit tonë si rajon drejt BE-së dhe ku Shqipëria u gjend në kushtet më të mira në sytë e Europës, si rezultat i punës së madhe dhe arritjeve positive, këtu në shtëpinë tonë.

Theksova se hapja e të gjithë kapitujve të negociatave për ne përbën një inkurajim shumë të madh, por përsërita domosdoshmërinë që Komisioni Europian dhe patjetër edhe të gjithë udhëheqësit e shteteve anëtare të pranishëm në Këshillin Europian të respektojnë marrëveshjen për përfundimin e negociatave brenda 2027, duke nënvizuar se anëtarësimi i Shqipërisë dhe i vendeve të tjera të Ballkanit duhet të përshpejtohet politikisht. Kam nënvizuar po ashtu, se Shqipëria padiskutim do t’i vazhdojë reformat modernizuese dhe do t’i vazhdojë pa u lëkundur përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, jo për Brukselin, por për interesin tonë strategjik kombëtar.” tha Rama.

Advertisement