Bota
Meloni kundërshton Merz: Evropa ka nevojë të forcojë marrëdhëniet me SHBA-të
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka deklaruar se nuk ndan të njëjtat mendime si homologu i saj gjerman, Friedrich Merz për kulturën e MAGA-s në Amerikë.
“Jo, do të thoja se nuk i ndaj kritikat e Merz për kulturën MAGA (Make America Great Again). Këto janë konsiderata politike, secili udhëheqës bën çfarëdo konsiderate që mendon se është e përshtatshme, por kjo nuk është një çështje që shqetëson BE-në”, tha Meloni, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve mbi deklaratat e kancelarit gjerman.
Nga Etiopia, ku po zhvillohet konferenca Itali-Afrikë, kryeministrja italiane shtoi se duhet të bëhen përpjekje për të forcuar më tej marrëdhëniet e Evropës me Shtetet e Bashkuara dhe se Evropa duhet të kujdeset më shumë për veten, veçanërisht në frontin e sigurisë.
“E konsideroj të domosdoshme të shfrytëzojmë më shumë atë që na bashkon. Është me rëndësi themelore, veçanërisht për vendet evropiane dhe Italinë. Evropa duhet të punojë, me qëllim që të bëhet përsëri një lojtar i vërtetë gjeopolitik”, tha Meloni, duke iu referuar gjithmonë marrëdhënieve të BE-së me Shtetet eBashkuara.
Në lidhje me “Këshillin e Paqes në Gaza”, Meloni njoftoi se vendi i saj do të marrë pjesë në këtë iniciativë si vëzhguese.