Kosova
Thaçi “shpotit” Osmanin: Qesh me zë kur shoh bërryla për një foto me Trumpin
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk i ka kursyer ironitë për klasën aktuale politike në Prishtinë, veçanërisht sa i përket raporteve të tyre me Shtetet e Bashkuara.
Thaçi nuk e ka etiketuar askënd, por sipas prapavijës politike, mesazhi sugjeron se ai e ka me pasardhësen e tij në krye të shtetit, Vjosa Osmani, e cila, gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump, ishte pozicionuar krah liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke kritikuar inciativat që vinin nga Shtëpia e Bardhë.
“U dëshmua se mallkimet e mëhershme të disa liderëve kosovarë ndaj Trumpit ishin më tepër së gabim politik. I kisha paralajmëruar mos të flasin më frymë në fyt. Sot, për aq sa më vjen mirë, po aq më bën të qeshë më zë kur shoh garë bërrylash mes tyre dhe turrë e vrap për foto me Trumpin dhe njerëzit e tij. Por, e zeza mbi të bardhë mbetet”.
Ai nuk e ka lënë pa i përmendur dështimet e Osmanit dhe Kurtit, duke e vënë theksin te izolimi që i është bërë Kosovës nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Thaçi ka bërë një krahasim mes ngecjes së Kosovës dhe progresit të Shqipërisë, duke e cilësuar këtë të fundit si “kampionen” e rajonit të Ballkanit Perëndimir në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ai ka vlerësuar tepër shumë përkushtimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për t’i bërë shqiptarët pjesë të Perëndimit.