Politike
EUROPA KA KAPACITETE TA PRANOJE SHQIPERINE
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka vlerësuar përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian, duke veçuar Shqipërinë për hapat e rëndësishëm të ndërmarrë drejt anëtarësimit në BE.
Në një intervistë për agjencinë boshnjake të lajmeve, Kallas u shpreh se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian pritet të përshpejtohet, ndërsa integrimi i vendeve kandidate mbetet një prioritet strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e kontinentit.
Ajo theksoi se Bashkimi Evropian ka kapacitetin për të pranuar vende si Shqipëria dhe Mali i Zi, duke nënvizuar se zgjerimi duhet të shihet si një proces gjithëpërfshirës për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Zgjerimi nuk është një lojë me fitues dhe humbës. Ose të gjithë janë pjesë e tij, ose askush. Nëse marrim si shembull Malin e Zi ose Shqipërinë, ato janë vende që Bashkimi Evropian ka kapacitetin t’i mirëpresë. Është gjithashtu e qartë se është në interesin tonë që vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen Bashkimit Evropian. Ky është gjithmonë një proces i dyanshëm”, deklaroi Kallas.
Ajo shtoi gjithashtu se reformat e qëndrueshme mbeten kyçe për avancimin e procesit të anëtarësimit, duke paralajmëruar se “dritarja e mundësisë për zgjerim nuk do të jetë e hapur përgjithmonë”.
Gjatë vizitës së saj në Bosnje dhe Hercegovinë, Kallas theksoi se BE-ja është e vendosur të gjejë një kandidat evropian të fortë për postin e përfaqësuesit ndërkombëtar të paqes, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të rolit stabilizues në vend.
Ajo shtoi se misioni ndërkombëtar në Bosnje mbetet një shtyllë e rëndësishme e stabilitetit, deri në momentin kur vendi të jetë në gjendje të funksionojë pa mbikëqyrje ndërkombëtare.