Politike
Financimi i koncertit të Kanye West/ Meksi kërkon transparencë: Kuvendi të ushtrojë kontroll kushtetues
Ish-deputetja dhe ish-ministrja Ermelinda Meksi ka reaguar pas publikimit në media të aktit normativ që lidhet me financimin e koncertit të artistit Kanye West përmes fondit rezervë të buxhetit të shtetit.
Në reagimin e saj, Meksi thekson se Kuvendi ka detyrimin të ushtrojë kontrollin kushtetues dhe parlamentar mbi këtë vendimmarrje, duke verifikuar nëse janë përmbushur kriteret e “nevojës” dhe “urgjencës” për nxjerrjen e aktit normativ.
Sipas saj, qytetarët kanë të drejtë të marrin një shpjegim të qartë nëse përdorimi i fondit rezervë është bërë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
“Transparenca, llogaridhënia dhe respektimi i ligjit janë parime themelore të administrimit të financave publike dhe kushte të domosdoshme për ruajtjen e besimit të qytetarëve te institucionet”, shprehet Meksi.
Ajo nënvizon se Kuvendi, si organi që shqyrton dhe miraton aktet normative të Këshillit të Ministrave, ka përgjegjësinë të verifikojë nëse në këtë rast janë respektuar kërkesat kushtetuese dhe ligjore, si dhe kriteret që rregullojnë përdorimin e fondit rezervë të buxhetit të shtetit.
Meksi kërkon një sqarim institucional mbi bazën kushtetuese dhe ligjore të kësaj vendimmarrjeje, si dhe mbi arsyet që justifikojnë përdorimin e fondit rezervë për këtë qëllim.
Sipas saj, çdo vendimmarrje që prek fondet publike duhet të jetë jo vetëm e ligjshme, por edhe e arsyetuar, proporcionale dhe në funksion të interesit publik.
“Vetëm një shqyrtim serioz, transparent dhe i bazuar në Kushtetutë dhe ligj garanton se çdo vendimmarrje që prek fondet publike i shërben interesit të qytetarëve, forcon besimin te institucionet demokratike dhe mbron parimet e shtetit të së drejtës”, thekson Ermelinda Meksi në reagimin e saj.