Connect with us

Kronike

Policia godet dy raste kriminale, arrestime për drogë dhe armëmbajtje pa leje

Policia e Shkodrës ka goditur dy raste të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, duke finalizuar operacionin e koduar “Sezoni”.

Pas një hetimi disa mujor të zhvilluar me metoda speciale hetimi, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve kanë arrestuar tre persona dhe kanë nisur procedim penal për një tjetër, të dyshuar për shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.

Në pranga kanë rënë shtetasit me inicialet G. B., 20 vjeç, banues në Ktosh; D. R., 20 vjeç, banues në Koplik dhe K. P., 22 vjeç, banues në Lohë të Poshtme. Ndërkohë, për një 34-vjeçar me inicialet R. H. ka nisur procedimi në gjendje të lirë.

Gjatë kontrolleve policia ka sekuestruar një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, si dhe pesë aparate celularë që do të përdoren si prova materiale në hetim.

Sipas policisë, grupi i dyshuar kishte vepruar për disa muaj në aktivitetin e shitjes, shpërndarjes dhe mbajtjes së lëndëve narkotike. Në kuadër të të njëjtit hetim, gjatë muajve qershor dhe korrik janë arrestuar edhe katër persona të tjerë.

Ndërkohë, një tjetër rast është goditur në zonën e Velipojës, ku shërbimet e policisë kanë arrestuar në flagrancë një 18-vjeçar me inicialet A. P.

Gjatë kontrollit fizik ndaj të riut është gjetur një armë zjarri pistoletë, ndërsa në banesën e tij është sekuestruar edhe një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e ndarë në doza.

Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme hetimore.

Advertisement