Aktualitet
“Po na asimiloni”/ Belshi në protestë kundër hartës së re territoriale
Belshi është bërë pjesë e valës së protestave kundër Reformës Territoriale, me dhjetëra qytetarë që kanë dalë sot në rrugë për të kundërshtuar propozimin e mazhorancës për shkrirjen e bashkisë së tyre dhe bashkimin me Bashkinë Elbasan.
Banorët janë mbledhur në qendër të qytetit me pankarta në duar, duke kërkuar që Belshi të vijojë të ketë statusin e një bashkie më vete. Sipas protestuesve, ndryshimi i propozuar prek drejtpërdrejt identitetin e komunitetit, përfaqësimin lokal dhe afërsinë e shërbimeve me qytetarët.
Një prej pankartave të mbajtura gjatë protestës shpreh kundërshtimin ndaj vendimit të qeverisë me mesazhin: “Rilindja e donte Belshin kryeqytet, ju po e asimiloni”.
Protestuesit deklarojnë se bashkimi me Elbasanin nuk është thjesht një ndryshim administrativ, por një vendim që sipas tyre mund të ndikojë në zhvillimin ekonomik, shërbimet publike dhe të ardhmen e zonës.
Protesta në Belsh vjen pas reagimeve të ngjashme në disa bashki të tjera, përfshirë Poliçanin, Klosin dhe Prrenjasin, ku banorët kanë shprehur kundërshtime ndaj propozimeve për riorganizimin territorial dhe shkrirjen e disa njësive vendore.