Politike
“Sonte proteston diaspora në Tiranë”/ Berisha: Ftoj çdo demokrat të jetë pjesë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë socialiste se reforma territoriale e vitit 2014 ka ndikuar në dobësimin e zonave rurale dhe në rritjen e emigracionit të shqiptarëve.
Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha u ndal te propozimet e reja për riorganizimin territorial, duke rikthyer në vëmendje reformën e miratuar gjatë qeverisjes Rama, e cila reduktoi numrin e njësive vendore nga 410 bashki dhe komuna në 61 bashki.
Sipas tij, kjo reformë ka sjellë largimin e investimeve dhe shërbimeve nga zonat rurale, duke ndikuar në boshatisjen demografike të tyre.
“Zvogëlimi i numrit të bashkive dhe komunave nga 410 në 61 ka pasur pasoja të mëdha për Shqipërinë rurale”, deklaroi Berisha, duke pretenduar se mungesa e investimeve në infrastrukturë, ujësjellësa, kanalizime dhe mbështetjen për fermerët ka nxitur largimin e banorëve.
Berisha e cilësoi emigracionin masiv të shqiptarëve si një problem të rëndë kombëtar dhe përdori termin “gjenocid të butë” për të përshkruar atë që ai e konsideron një politikë të qëllimshme të qeverisë për boshatisjen e vendit.
Ai akuzoi gjithashtu mazhorancën se ka dobësuar mbështetjen për bujqësinë dhe shtresat në nevojë, duke e lidhur këtë me rritjen e numrit të shqiptarëve që largohen drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe më gjerë.
Duke iu referuar reformës së re territoriale të propozuar nga Partia Socialiste, Berisha tha se ndryshimet në ndarjen administrative duhet të analizohen për ndikimin që kanë te komunitetet lokale dhe zhvillimi i zonave jashtë qendrave urbane.
Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur debati për Reformën Territoriale është rikthyer në skenën politike, ndërsa disa komunitete kanë nisur protesta kundër propozimeve për bashkimin ose shkrirjen e disa bashkive.