Politike
Berisha ngre dyshime për arrestimin e Ermal Beqirit: A u lëshua urdhër-arresti?
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar arrestimin në Francë të Ermal Beqirit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si është zbatuar urdhër-arresti ndërkombëtar.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha deklaroi se Beqiri kishte kryer lëvizje me avionët e tij në vende të Bashkimit Evropian, si Austria dhe Sllovenia, duke vënë në dyshim nëse njoftimi për kërkimin ndërkombëtar ishte shpërndarë dhe zbatuar siç duhet.
Sipas Berishës, nëse ndaj tij do të kishte qenë aktiv një mandat arresti ndërkombëtar, ai nuk do të mund të kryente lëvizje të tilla. Kreu i PD-së hodhi dyshime se urdhri ose nuk është lëshuar siç duhet, ose është penguar në zbatim.
“Transparenca është e domosdoshme. Mund të ketë dokumente, por autoritetet franceze e arrestuan krejtësisht rastësisht”, u shpreh Berisha.
Në vijim të deklaratës së tij, ai ngriti edhe akuza politike, duke pretenduar se Ermal Beqiri kishte lidhje me kryeministrin Edi Rama dhe familjen e tij.
Deri tani nuk ka pasur një reagim nga SPAK apo institucionet shtetërore lidhur me pretendimet e ngritura nga kreu i Partisë Demokratike.