Aktualitet
ZJARRI NUK TËRHIQET/ Shqipëria nën alarm, flakët hapin fronte të reja
Situata e zjarreve në vend vijon të mbetet problematike. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 35 vatra zjarri, ndërsa 5 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 3 të tjera po mbahen nën kontroll.
Në terren janë angazhuar 382 forca operacionale dhe 40 automjete zjarrfikëse, ndërsa operacionet po mbështeten edhe nga 90 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat aktive janë në Dajt, Mirditë, Pukë, Malësi të Madhe dhe Gramsh.
Në Dajt, vijon ndërhyrja për shuarjen e zjarrit, me angazhimin e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra në Priskë është nën kontroll.
Në Lufaj të Mirditës, zjarri vijon me intensitet të ulët. Forcat në terren po punojnë për izolimin dhe shuarjen e plotë të flakëve, ndërsa edhe këtu nuk raportohet rrezik për banesat.
Situatë më komplekse paraqitet në Pukë, në zonën Tërbun–Gjegjan–Gojan. Gjendja në sipërfaqet pyjore të Tërbunit është përmirësuar, por vatrat në Gjegjan dhe Gojan mbeten aktive. Gjatë operacionit është evakuuar një familje, ndërsa ndërhyrja e forcave ka shmangur përhapjen e flakëve drejt banesës.
Operacioni në Pukë po mbështetet nga 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë.
Në Gjorm të Sipërm, në Malësinë e Madhe, zjarri është riaktivizuar dhe po punohet për shuarjen e tij me dy automjete zjarrfikëse dhe gjashtë efektivë.
Ndërsa në Tunjë të Re në Gramsh, forcat vijojnë operacionin për izolimin dhe shuarjen e zjarrit. Edhe në këtë zonë, autoritetet thonë se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Gurë-Lurë, zjarri është shuar dhe situata mbetet nën kontroll. Ndërkohë, në Qafë Helmes vijon ndërhyrja e forcave operacionale.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po monitoron situatën në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të emergjencave.
Prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë, ndërsa strukturat operacionale vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri për ndërhyrje në çdo zonë ku situata mund të përkeqësohet.