✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Përkrahu publikisht protestën/ Rama: Dua Lipa do protestën, unë dua Duan

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat kundër projektit të zhvillimit dhe ruajtjes së mjedisit, duke iu referuar edhe këngëtares shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa.

Gjatë një interviste, Rama tha se nuk e sheh zhvillimin dhe konservimin e mjedisit si dy alternativa që përjashtojnë njëra-tjetrën. Ai argumentoi se të dyja mund të bashkëjetojnë dhe se debati duhet të mbështetet te të dhënat dhe vlerësimet shkencore.

I pyetur nëse mbështetja e Dua Lipës për protestat mund të konsiderohet si element propagande, Rama u shpreh se këngëtarja ka të drejtë të shprehë qëndrimin e saj.

“Ajo është krenare për protestën, unë jam krenar për të. Është ideologji kur thua ose zhvillimi ose konservimi. Duas i pëlqen protesta, unë e dua shumë Duan. Ajo është këngëtare, nuk është Papa”, tha Rama.

Kryeministri foli gjithashtu për raportin mes protestave dhe qeverisë, duke kujtuar edhe përvojën e tij të mëparshme si protestues. Ai tha se nuk duhet të merret si e mirëqenë se çdo protestues ka gjithmonë të drejtë apo se çdo qëndrim i qeverisë është domosdoshmërisht i gabuar.

Rama iu referua edhe protestave të viteve të shkuara dhe situatave të dhunshme që kanë shoqëruar disa prej tyre, duke deklaruar se sot, sipas tij, hapësira për protestë është më e madhe.

Duke folur për projektin që ka shkaktuar reagime dhe protesta, Rama tha se qeveria do të publikojë dokumentet dhe të dhënat që lidhen me të. Ai përmendi një “pasqyrë inteligjente”, e cila sipas tij do të përditësohet me informacionet e reja.

“Do të publikojmë çdo gjë që kemi dhe pasqyra do të përfshijë çdo gjë të re”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se nëse vlerësimet shkencore tregojnë se një zonë apo element i caktuar nuk duhet prekur, atëherë kjo duhet të merret në konsideratë, duke theksuar se debati nuk duhet të shihet si një përballje personale.

Advertisement