✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Rama: Nuk duhet të kemi më kufizim në buxhetin e QSUT-së…

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, kanë inspektuar ambientet e reja në QSUT, ku janë njohur me shërbimet e Kardiokirurgjisë dhe ndërhyrjet e kryera për përmirësimin e infrastrukturës spitalore.

Një nga ndryshimet e reja është krijimi i një dhome të dedikuar për kryerjen e procedurave sterile, duke shmangur realizimin e tyre në ambientet e reanimacionit. Gjatë vizitës u diskutua gjithashtu edhe autonomia financiare e QSUT-së, e cila sipas planit të qeverisë pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.

Në kuadër të vizitës, Spahiu dhe Rama vlerësuan kontributin e profesionistëve që kanë shërbyer ndër vite në strukturat e Kardiokirurgjisë. Gjashtë mjekë dhe profesorë, Edmond Kapedani, Aurora Knuti, Efrosina Kajo, Arben Baboçi, Ajli Alushani dhe Ali Refatllari, u nderuan me certifikata mirënjohjeje.

Kryeministri Rama deklaroi se synimi është që nevojat e QSUT-së të adresohen përmes buxhetit të vitit 2027, ndërsa paralajmëroi edhe ndryshime në menaxhimin e hapësirave të spitalit.

“Falënderimi është shumë i madh për të gjithë profesorët që kanë kontribuar dhe që për fat janë këtu me ne sot. Do bëjmë më të mirën në të gjithë shërbimet, por gjithsesi unë do doja një bashkëpunim të ngushtë të drejtoreshës me gjithë shefat e shërbimeve. Duhet të vlerësojmë njerëzit që kanë dhënë kontributin ndër vite në këto shërbime dhe unë kam kënaqësinë dhe nderin që t’ju jap ju certifikatën e mirënjohjes për profesor doktor Edmond Kapedanin, doktoreshë Aurora Knutin, profesor doktoreshë Efrosina Kajo, profesor doktor Arben Baboçi. profesor doktor Ajli Alushani, profesor doktor Ali Refatllari, të gjithë janë profesorët e mi”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu.

Kryeministri, nga ana e tij tha: “E vërteta është që investimet në QSUT në tërësinë e tyre janë kryer dhe ajo që është e qartë nga ana ime është që nuk duhet të kemi më kufizim në buxhetin e QSUT-së për sa i përket kompletimit të nevojave dhe do duhet t’i adresojmë të gjitha me buxhetin e vitit 2027. Kjo është ambicia. E dyta që diskutuam edhe më parë është që me përfundimin e parkimit të madh me 1400 vende në hyrje, përfundimisht ne i heqim të gjitha makinat nga territori i spitalit. Aty me sa unë kuptova janë 900 makina të personelit dhe mbeten edhe 500 vende të tjera që janë të ardhura dytësore për spitalin.

Ndërkohë që gjithë territorin e spitalit do ta kthejmë në një park shumë të bukur për të cilin do punojmë tani edhe të cilin besoj do ta realizojmë në harkun e dy vjetëve. Kjo është e rëndësishme dhe e treta jemi duke vazhduar të diskutojmë për partneritetin e spitalit me një strukturë tjetër shumë të njohur. Kemi disa opsione, por diskutimet vazhdojnë dhe besoj që shumë shpejt do arrijmë të ndërtojmë këtë partneritet i cili do konsistojë në një menaxhim të spitalit dhe në një ndërveprim të spitalit me strukturën partnere ku mjekët do jenë në një program bashkëpunimi.

Mjekët e spitalit tonë do shkojnë atje. Mjekët e spitalit atje do vijnë këtu. Pra jo thjesht vizita pune, por një strukturë që administrohet me standardet e ekselencës edhe që do të na do të na japi shumë dorë pastaj për të pasur qartësi edhe për autonominë financiare që hyn në fuqi vitin e ardhshëm. Pjesë e këtij plani është edhe ndërtimi i një strukture private brenda spitalit, e cila do të jetë një strukturë ku ju të punoni paralelisht dhe që të sjellë dhe një rritje të domethënëse dhe të të ardhurave tuaja. Ky është plani. Jemi në negociata. Ministrja po bën diskutimet. Kemi goxha arsye të jemi optimistë”.

Advertisement