✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

“Nuk është krim…”/ Iris Luarasi për videot intime:“Kush i filmoi, kush i publikoi?

Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka reaguar lidhur me videot intime që kanë qarkulluar ditët e fundit në rrjetet sociale, duke e zhvendosur vëmendjen te mënyra se si janë siguruar, publikuar dhe shpërndarë këto materiale.

Përmes një reagimi publik, Luarasi ngre pyetjet se kush i ka realizuar regjistrimet, kush i ka publikuar dhe kush mund të përfitojë nga shpërndarja e tyre. Ajo ka kritikuar gjithashtu gjuhën fyese dhe talljet ndaj grave që shfaqen në materialet që qarkullojnë online.

“Ajo që dy të rritur bëjnë me dëshirë në jetën e tyre private nuk është krim. Nëse dikush është filmuar pa dijeninë ose pëlqimin e tij, kjo duhet të hetohet. Po ashtu edhe publikimi e shpërndarja e pamjeve private”, shkruan Luarasi.

Reagimi i plotë i deputetes së PS-së në rrjetin social “Instagram”:

Një vend i tërë po sheh, shpërndan dhe tallet me materiale private që përfshijnë disa gra. Ndërsa ato anatemohen në çdo koment, pyetja më e rëndësishme lihet në hije se kush i filmoi, kush i publikoi dhe kush po fiton nga shpërndarja e tyre? Flitet për gratë kudo e flitet shumë pak ose aspak për burrat.

Ajo që dy të rritur bëjnë me dëshirë në jetën e tyre private nuk është krim. Nëse dikush është filmuar pa dijeninë ose pëlqimin e tij, kjo duhet të hetohet. Po ashtu edhe publikimi e shpërndarja e pamjeve private. Turpi nuk u përket grave. U përket atyre që cenojnë privatësinë e tyre dhe atyre që e ushqejnë këtë dhunë me “share”, klikime e tallje.

Përshëndes hetimet e nisura nga Policia dhe Prokuroria, si edhe reagimin e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për ndalimin dhe heqjen e këtyre materialeve. Por drejtësia merr formë të plotë kur personat e prekur e denoncojnë rastin: kjo është rruga për të zbardhur si janë realizuar videot, kush i ka përdorur dhe kush i ka shpërndarë. Grave që sot gjenden në qendër të këtij linçimi u them se nuk jeni vetëm. Nuk keni pse të mbani turpin për cenimin që mund t’ju jetë bërë. Turpi u përket atyre që filmuan, publikuan, shpërndanë dhe atyre që e ushqejnë këtë dhunë me klikime, komente dhe tallje. Edhe për ata që i shpërndajnë këto video: çdo “share”, çdo dërgim në një grup privat, çdo koment fyes apo tallës e zgjat dëmin. Nuk jeni thjesht spektatorë. Bëheni pjesë e dhunës ndaj një njeriu. Të qenit person publik nuk ia heq askujt të drejtën për privatësi; as nuk i jep publikut të drejtën të gjykojë, fyejë apo dënojë një grua për zgjedhjet e saj personale. Ata që e paraqesin jetën intime të dikujt si “lajm” për klikime dhe fitim nuk po bëjnë gazetari. Gazetaria informon, verifikon dhe respekton dinjitetin e njeriut. Shfrytëzimi i materialeve intime për trafik nuk është informim, por është ekspozim, poshtërim dhe dhunë. Duhet përgjegjësi e qartë për çdo portal, faqe apo person që jeton nga linçimi i jetëve njerëzore.

Mos harroni më të rëndësishmen se këto gra kanë fëmijë, nëna, prindër, familje, miq dhe jetë përtej ekranit. Pasojat e këtij turpërimi publik mund të jenë të rënda, të thella dhe të pakthyeshme.

Advertisement