Aktualitet
U lëndua në ambientet e punës pas shkëputjes së ashensorit, humb jetën 51 vjeçari
Një 51-vjeçar nga Shkodra ka humbur jetën disa ditë pas një aksidenti të rëndë në vendin e punës, ku mbeti i bllokuar pas shkëputjes së një ashensori në një subjekt tregtar në Kryebushat.
Viktima është identifikuar si Ilir Laçevi, banues në Shkodër. Sipas të dhënave paraprake, ai ndodhej në katin e sipërm të objektit dhe po përdorte ashensorin për të transportuar disa kova me bojë drejt katit të poshtëm.
Ashensori kishte një kapacitet mbajtës prej rreth 500 kilogramësh, ndërsa dyshohet se në të ishte vendosur një ngarkesë shumë më e madhe se kapaciteti i lejuar. Për shkak të peshës, ashensori është shkëputur dhe gjatë rënies 51-vjeçari ka tentuar të hidhej prej tij për të shpëtuar.
Ai ka mbetur i bllokuar mes shinave dhe ka pësuar dëmtime të rënda, përfshirë fraktura në këmbë dhe në njërën dorë. Laçevi u transportua menjëherë në spital, ku qëndroi për tre ditë nën kujdesin e mjekëve.
Pavarësisht trajtimit mjekësor, 51-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.
Sipas burimeve policore, gjatë qëndrimit në spital Laçevi kishte deklaruar se kishte vendosur një sasi të konsiderueshme bojrash në ashensor. Ky deklarim po merret në konsideratë nga hetuesit për të përcaktuar nëse tejkalimi i kapacitetit të lejuar ka qenë shkak i shkëputjes së ashensorit.
Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe për përcaktimin e përgjegjësive lidhur me kushtet e sigurisë në vendin e punës.