✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Telefonata për bomba, 275 raste të rreme në 9 muaj

Në 9 muajt e këtij viti, Policia e Shtetit ka evidentuar 275 telefonata të rreme të kryera nga qytetarë, mes tyre edhe raste që kanë shkaktuar alarm për praninë e lëndëve plasëse në institucione apo ambiente publike.

Një nga rastet më të fundit ishte ai në shkollën “Emin Duraku” në Tiranë, ku një 47-vjeçar, Mandi Jatagani, telefonoi duke raportuar për praninë e një lënde plasëse. Policia u angazhua për verifikimin e informacionit, i cili rezultoi i rremë.

Një tjetër rast u regjistrua disa muaj më parë në një hotel në kryeqytet. Një shtetas i huaj telefonoi policinë duke pretenduar se kishte bombë në parkimin nëntokësor. Nga hetimet rezultoi se telefonata ishte bërë pasi ai kishte humbur para në kazino.

Shefi i Sektorit të Menaxhimit dhe Drejtimit të Sallës Operative në Tiranë, Julian Qyta, ka shpjeguar për Klan News se çdo telefonatë e tillë vlerësohet dhe verifikohet nga strukturat përkatëse, ndërsa në raste emergjente angazhohen njësitë e nevojshme të policisë.

Sipas policisë, personat që kryejnë telefonata të rreme mund të përballen me përgjegjësi penale për njoftim të rremë në organet e rendit dhe për përhapje të informatave të rreme që ngjallin panik.

Sipas dispozitave të cituara nga autoritetet, njoftimi i rremë në organet e rendit dënohet me gjobë ose burgim deri në një vit, ndërsa përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik mund të dënohet me gjobë ose burgim deri në pesë vjet.

Të dhënat e këtij viti vijnë në një kohë kur telefonatat e rreme për bomba apo situata të tjera emergjente shkaktojnë angazhimin e forcave të policisë dhe strukturave të specializuara për verifikimin e tyre.

Advertisement