Politike
Begaj mesazh magjistratëve të rinj: Drejtësia vetëm sipas ligjit
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u kërkoi magjistratëve të rinj integritet, profesionalizëm dhe pavarësi në ushtrimin e detyrës, gjatë ceremonisë së hapjes së vitit të ri akademik në Shkollën e Magjistraturës.
Në fjalën e tij, Begaj theksoi se besimi i publikut mbetet një nga bazat kryesore të sistemit të drejtësisë dhe se reforma në drejtësi ka hyrë në një fazë ku fokusi duhet të jetë te funksionimi i institucioneve dhe rezultatet konkrete.
Sipas Presidentit, brezi i ri i magjistratëve ka një përgjegjësi të veçantë, pasi do të jetë pjesë e një sistemi të transformuar nga reforma në drejtësi. Ai nënvizoi se integriteti dhe profesionalizmi i tyre do të jenë të rëndësishëm për efektivitetin e këtij sistemi.
Begaj tha se besimi i qytetarëve ndërtohet përmes një drejtësie ku çdo individ dëgjohet, çështjet shqyrtohen në mënyrë të paanshme dhe ligji zbatohet njësoj për të gjithë.
Duke folur për reformën në drejtësi, Presidenti vlerësoi përfundimin e procesit të vetingut dhe krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë. Ai përmendi gjithashtu rolin e SPAK-ut dhe gjykatave të posaçme në hetimin dhe gjykimin e personave me pushtet politik, ekonomik apo shoqëror.
“Drejtësia shqiptare ka hyrë tashmë në një fazë të re: nga reforma, te konsolidimi; nga ngritja e institucioneve, te funksionimi i tyre; nga pritshmëritë, te rezultatet”, u shpreh Begaj.
Kreu i Shtetit u ndal edhe te pavarësia e gjyqësorit, duke theksuar se drejtësia duhet të jetë e pandikuar nga interesa të tjera dhe t’i nënshtrohet ligjit. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve institucionale me pushtetet e tjera, duke respektuar ndarjen dhe balancën e tyre.
Në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, Begaj tha se Shqipëria duhet të garantojë një drejtësi jo vetëm cilësore dhe të pavarur, por edhe efektive dhe në kohë.
Në përfundim, Presidenti i ftoi magjistratët e rinj ta ushtrojnë detyrën me integritet, kurajë dhe përkushtim, duke vënë në qendër qytetarët dhe shtetin e së drejtës.