Politike
Deputeti socialist i Lezhës numëron problemet e banorëve/ Ndoja: Të lumtë goja
Problemet me furnizimin me energji elektrike dhe mbështetjen për peshkatarët në Shëngjin u ngritën në Kuvend nga deputeti socialist i Lezhës, Ermal Pacaj, gjatë seancës së dedikuar problematikave të qytetarëve.
Pacaj tha se në disa zona të qarkut ka ndërprerje të shpeshta të energjisë dhe probleme me fuqinë e furnizimit. Ai solli si shembull Malajn e Mirditës, ndërsa përmendi edhe zonat e Ishull-Shëngjinit dhe Ishull-Lezhës, ku sipas tij ndërprerjet ndodhin edhe gjatë kushteve të motit me erë.
“Një ndër problemet që kam evidentuar në Lezhë, s’di të ketë qark tjetër që të ketë probleme me energjinë elektrike më shumë se Lezha. Në Malaj të Mirditës frigoriferin e përdorin si raft se s’ka energji për të ftohur”, deklaroi Pacaj, duke kërkuar vëmendje ndaj situatës së furnizimit me energji.
Një tjetër çështje e ngritur prej tij ishte ajo e peshkatarëve në Shëngjin dhe mungesa, sipas tij, e subvencionimit të karburantit. Pacaj tha se rreth 30 mjete peshkimi përballen aktualisht me kosto të konsiderueshme të karburantit, duke deklaruar se shpenzimet mujore kanë arritur rreth 14 milionë lekë të vjetra.
Gjatë seancës, deputeti demokrat Arjan Ndoja përshëndeti ngritjen e problematikave lokale nga deputetët socialistë dhe iu drejtua në mënyrë të veçantë Pacajt, duke e ftuar të merrte pjesë në një aktivitet të opozitës në Lezhë.
Ndoja foli gjithashtu për reformën administrativo-territoriale, të cilën e konsideroi jo konsensuale. Sipas tij, procedura parlamentare për ndryshimet duhet të respektojë afatet e përcaktuara dhe t’u japë deputetëve kohën e nevojshme për shqyrtimin e materialeve.
“Reforma territoriale-administrative, bazuar në nenin 70 të Kuvendit, është jo konsensuale”, deklaroi Ndoja, duke kritikuar mënyrën e ndjekjes së procedurave parlamentare.
Në vijim, ai vlerësoi faktin që deputetët e mazhorancës ngritën në Kuvend problematika të zonave të tyre, duke argumentuar se këto çështje kanë qenë të pranishme prej vitesh.