Kosova
NË PIKËN E THYERJES/ VANGJELI: KOSOVA KA HYRË NË NJË SPIRALE SHUMË TË RËNDË KRIZE
Kosova po përballet me një krizë të zgjatur institucionale dhe politike, ndërsa përplasjet rreth ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara kanë nxjerrë sërish në pah konfliktet e thella mes forcave politike.
Analisti Lorenc Vangjeli e përshkroi situatën si një krizë që prej më shumë se një viti e gjysmë ka prekur jo vetëm institucionet, por edhe besimin dhe përfaqësimin politik.
Sipas Vangjelit, zhvillimet e fundit në Prishtinë janë pasojë e një kompromisi politik të munguar. Ai argumentoi se partitë po përpiqen të krijojnë alibi përballë qytetarëve, ndërsa ndryshimet e propozuara për ligjin e Dhomave të Specializuara, në vetvete, nuk mund të zgjidhin çështjen e ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në proceset gjyqësore në Hagë.
Kuvendi i Kosovës miratoi në parim ndryshimet ligjore, por votimi përfundimtar mbeti i pasigurt, duke e shtuar tensionin politik.
Vangjeli e lidhi situatën me mënyrën e qeverisjes dhe të negocimit politik të kryeministrit Albin Kurti, duke e krahasuar qëndrimin e tij me atë të Edi Ramës në Tiranë: “O të gjitha, o asgjë”.
Sipas analistit, mungesa e kompromisit mes palëve ka prodhuar një situatë ku secila forcë politike përpiqet të distancohet nga përgjegjësia për dështimin e procesit.
“Kompromisi i munguar në të gjithë rrethanat është faj i atij më të fortit. Albin Kurti hedh dorashkën e sfidës, njësoj si Rama në Tiranë: o të gjitha, o asgjë. Kjo është një lëngatë që zgjat”, tha Vangjeli.
Ai paralajmëroi gjithashtu se skenat e tensionuara të regjistruara në Prishtinë mund të përsëriten edhe në Tiranë, duke iu referuar debatit për reformën territoriale.
“Kam përshtypjen se këto skena që po i shohim në Prishtinë do t’i shohim në Tiranë pas tre ditësh, kur të votohet ligji për reformën territoriale. Të dyja palët tentojnë të prodhojnë alibi ndaj njerëzve, pasi e dinë se nuk mund të ndihmojnë dot ish-krerët e UÇK-së. Ky është teatër i shëmtuar”, u shpreh ai.
Ndërkohë, gjatë mbrëmjes, protesta pranë Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës u përshkallëzua. Pas hedhjes së mjeteve piroteknike, fishekzjarreve dhe sendeve të ndryshme drejt institucioneve, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe për të rikthyer kontrollin në zonë.
Zhvillimet e fundit e vendosin Kosovën përballë një tjetër nate të tensionuar politike, në një kohë kur institucionet përballen me afate të rëndësishme dhe partitë vijojnë të mos gjejnë një kompromis për çështjet e hapura.