Shkrime
PETRIT VASILI BEN IRONI: NESTI ANGONI E ZGJOI NGA GJUMI SPAK-UN, TONI GOGU E VURI NE GJUME
PETRIT VASILI
Është vërtet e pabesueshme se si institucionet e drejtësisë së ashtuquajtur të re po bien poshtë e më poshtë në greminën e mosbesimit absolut mbarëpopullor.
Të kapura dukshëm dhe me regji nga Rama, këto institucione nuk po bëjnë dot as ndonjë përpjekje demagogjike për të treguar së paku një minimum pavarësie dhe respekti ndaj ligjit.
Rasti më i fundit i Veliajt, lidhur me shantazhimin e tij nga Ministri i Drejtësisë Gogu dhe transferimin e tij në Fier, janë tashmë skandale të hapura ligjore dhe publike.
Po ku është SPAK-u?
Pse nuk flet SPAK-u?
Pse nuk vepron SPAK-u?
SPAK-u mori nën ndjekje penale dhe arrestoi Veliajn pas një denoncimi anonim të të famshmit Nesti Angoni, një emër i rremë që realisht nuk ekziston.
Pra, SPAK-u nuk hezitoi, të paktën në dukje, të vepronte e reagonte pas një denoncimi anonim.
Shumë bukur, SPAK-u vlerësoi tek denoncimi anonim se kishte indicie dhe dyshime të arsyeshme për të proceduar dhe veproi duke arrestuar Veliajn.
Tani vijmë tek ngjarja e ditëve të fundit.
Si është e mundur që po i njëjti SPAK, që veproi shumë fort pas denoncimit anonim të Nesti Angonit, sot ka një denoncim shumë të fortë publik, me emër dhe mbiemër, dhe nuk vepron?
Veliaj, me firmë dhe me shkresë zyrtare të Bashkisë së Tiranës, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë, i drejtohet Kryetarit të Grupit Parlamentar, Balla, duke kërkuar hetim parlamentar për shantazh të Kryeministrit Rama përmes Ministrit Gogu.
Pra, një ngjarje mes Kryetarit të Bashkisë, Kryeministrit dhe Ministrit, që të tre subjekte të SPAK-ut.
Një skandal i përmasave të mëdha, aq më shumë që të gjitha veprimet e Ministrit Gogu, që shkon në orën 22:30 të natës në burg, pa praninë e personave të tjerë, përcjell kërcënimet e Kryeministrit, fill pas një transferimi të dyshimtë dhe pas lënies edhe pa trajtimin mjekësor të duhur të Veliajt, edhe ky i fundit i denoncuar publikisht, të gjitha këto nuk tërheqin vëmendjen e SPAK-ut.
Përse SPAK-u nuk filloi hetimin kryesisht dhe të kërkonte dëshmitë e të gjithë personave të përfshirë, që nga Kryeministri, Ministri, Drejtorët e Burgjeve, që nga i Përgjithshmi e me radhë?
Një skandal kaq i rëndë, ku njerëz me postet më të rëndësishme të shtetit janë të përfshirë dhe SPAK-u hesht.
Ndaj, me të drejtë, askush nuk beson më tek SPAK-u, që tund dynjanë për Nesti Angonin, por hesht për Toni Gogun.
P.S. Ja ku e ka SPAK-u letrën e plotë të Veliajt drejtuar Ballës, ku kërkon hetim për kërcënimet e Ramës.