✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

BERISHA SULMON LALËN, AGSH: TËRHIQ DEKLARATAT DHE KËRKO FALJE!

Përplasja e Sali Berishës me gazetaren Klodiana Lala përpara SPAK-ut ka sjellë reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë. Organizata i kërkon kreut të Partisë Demokratike të tërheqë deklaratat dhe të kërkojë falje, duke e cilësuar gjuhën e tij denigruese dhe cenuese për dinjitetin profesional të gazetares.

Debati ndodhi të enjten, pas daljes së Berishës nga SPAK, ku ishte pyetur si kallëzues në çështjen që lidhet me gjyqtaren Irena Gjoka.

Lala e pyeti nëse kishte dorëzuar dokumentet që kishte përmendur publikisht. Berisha u përgjigj se dokumentet i kishte dorëzuar me kallëzimin. Përplasja u përshkallëzua kur gazetarja i kërkoi të sqaronte akuzat ndaj medias dhe se kë pretendonte ai se po mbronin gazetarët.

Në transkriptin e publikuar nga vetë Partia Demokratike, Berisha e etiketon disa herë Lalën si të keqpërdorur dhe vë në diskutim burimet e informacionit të saj. Gjatë të njëjtit debat, ai pretendon se i respekton gazetarët.

Lala kundërshton etiketimet, mbron punën e saj dhe këmbëngul te pyetja për dokumentet.

“Balta e politikës së vjetër mua nuk më bën pis”, i përgjigjet gazetarja.

Për AGSH-në, deklaratat e kreut të PD-së përbëjnë sulme personale. Asociacioni thekson se gazetarët nuk duhet të përballen me diskreditim për shkak të pyetjeve që bëjnë apo informacioneve që publikojnë.

Në reagim bëhet një dallim i qartë: politikanët kanë të drejtë të kundërshtojnë raportimet, të evidentojnë pasaktësi dhe të kërkojnë korrigjime. Por kjo nuk u jep të drejtën të sulmojnë personalisht gazetarët apo të hedhin akuza të pambështetura ndaj integritetit të tyre.

Sipas organizatës, kur kjo gjuhë përdoret nga figura me ndikim politik, rrezikon të nxisë armiqësi ndaj gazetarëve dhe të krijojë një klimë frikësuese për ushtrimin e profesionit.

AGSH shpreh solidaritet me Klodiana Lalën dhe kërkon respektimin e pavarësisë së gazetarëve nga të gjithë përfaqësuesit politikë, pa dallim.

Kërkesa drejtuar Berishës është konkrete: të tërhiqet nga deklaratat dhe të kërkojë falje.

Advertisement