Politike
RAMA JEP LAJMIN PER ANETARESIMIN NE BE
Ne fillim te fjales se ttij ne Asamblene e Partise Socialiste, kryeministri Rama tha se per here te pare ne historine e shtetit shqiptar, Shqiperia futet ne Traktatin e antaresimit ne familjen e madhe europiane.
‘Pas kesaj jane vite pune gjigande, vite perplasjesh e reformash, qe ne si PS kemi cuar perpara” – deklaroi Rama duke shtuar se Traktati eshte faqja e fundit e antaresimit ne BE
lajmi ne perditesim
Në fillim të fjalës së tij në Asamblenë e PS, Edi Rama u ndal te progres raporti për Shqipërinë duke e vënë theksi te kërkesa e Komisioni Europian që të nisë puna për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë.
Rama thotë se në këtë moment historik gjithçka duhet të përqendrohet te anëtarësimi pasi Evropa është e prekshme.
“I kërkohet Këshillit Europian të nisë përgatitjet për të hartuar Traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Dua ta dëgjojë çdo shqiptar dhe shqiptare që na ndjek. Faqja e fundit e historisë që po e shkruajmë ne, PS, e paarritshme deri dje, por sot, e prekshme. E prekshme jo si ëndrra që prindërit ua përcillnin fëmijëve siç përcillnin fëmijët në Europë, jo si premtim që thuhej gjatë fushatës nga të gjitha forcat politike. Sot Europa është e prekshme me sy, përmes vetë gishtit të KE që tregon se ky është momenti për të nisur përgatitjet për Traktatin historik që do ta bëjë Shqipërinë anëtare të BE. Si mundemi ne që në këtë moment historik të mos i mbledhim të gjitha mendjet, energjitë tona për ta bërë realitet edhe këtë faqe të fundit të një libri që ka nisur të shkruhet qysh se nuk mbahet mend dhe që ne e gjetëm si një libër borxhesh. Borxhe në të gjithë sektorët, dështime, kërcënim i një kolapsi financiar të menjëhershëm dhe mungesë shprese që Shqipëria të bëhet anëtare e BE”, tha Rama.
LAJMI NE PERDITESIM
Kryeministri Edi Rama tha në Asamblenë e Partisë Socialiste se protesta, që sipas tij nisi për arsye krejt të tjera, u instrumentalizua politikisht dhe u kthye në një ofensivë dhune.
“Kush udhëheq duhet të kuptojë se ku ndodhet vendi pikërisht atëherë kur zhurma dhe tymi ngrihen më lart se zakonisht. Duhet të kuptojë se çfarë është e rëndësishme në ato që janë arritur, çfarë rrezikon të humbasë vendi nën presionin e zhurmës dhe pengesën e tymit dhe si duhet ushtruar përgjegjësia e drejtimit pa humbur kthjelltësinë e shikimit. Ky është një moment i tillë.
Në raportin më të fundit për zgjerimin, KE-ja ka shkruar një frazë, e cila nuk ka zënë vend, se s’ka se si të zërë vend asgjë që ka një rëndësi domethënëse për ecurinë e vendit, në kushtet kur vendi po jeton nën presion të brendshëm përmes instrumentalizimit politik të një proteste të nisur për arsye krejt të tjera dhe të degraduar në një ofensivë dhune, në dukje kundër qeverisë, por në fakt kundër mënyrës se si ne duam që Shqipëria të shkojë përpara”, tha Rama.
Rama kujton Shqipërinë e 2013-s: Në korridoret e spitalit ecej me biçikletë! Tirana ka probleme, por sot është kryeqytet europian
Edi Rama foli për ndryshimin që ka pësuar Shqipëria nga 2013.
“Tirana ka probleme, por Tirana sot është kryeqytet europian. Ishin vendbanime pa qytete, aty ku sot njerëzit shijojnë, në turma turistësh, Shkodrën, Beratin, Lezhën, Vlorën e me radhë, të gjitha. Aty kishte vetëm parkime të mëdha makinash, përzier me lopë dhe viça që vinin për t’u shitur, dhe gjithçka i ngjante një vendi të harruar nga Zoti. Si mundet ne t’i harrojmë këto?
Pas atij togfjalëshi, “traktati i anëtarësimit”, nuk jemi vetëm ne këtu. Është një pafundësi njerëzish. Ndër këta, edhe njerëz të administratës së shumë anatemuar, që goditet përditë e përditë, ndërkohë që ka në gjirin e vet mijë e mijëra punonjës të dinjitetshëm, shërbëtorë të padujshëm të shtetit dhe publikut shqiptar.
Si mundet ne të mos shohim pas atij togfjalëshi korridoret e spitalit nën Terezë, me biçikleta brenda? Ecej me biçikletë në korridorin e spitalit. Jo në 1913, por në 2013. Nuk dallohej mjeku, i sëmuri, i afërmi, shitësi i farave apo i të brendshmeve nga kalimtari që përshkonte rrugën nga Bardhyli te rruga matanë, duke u futur mes spitalit. Po shkollat, qindra e qindra”, tha Rama.
Rama në Asamblenë e PS: Traktati i anëtarësimit, diell që s’mbulohet me shoshë! S’ka si të jetë e vërtetë që Shqipëria po bie në humnerë
Kryesocialisti Edi Rama tha se përgjatë viteve të Partisë Socialiste në pushtet janë kryer reforma e ndryshime të rëndësishme, në dobi të rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE. Në fjalën e tij në Asamblenë e PS, ai thotë se rekomandimi për Traktatin e Anëtarësimit dhe kritikat se Shqipëria po rrokulliset në humnerë, s’mund të rrinë bashkë.
“Erdhi një gazetar për të ndjekur flamingot dhe shkoi në Kamëz aty ku zakonisht janë kërkuar gjithmonë revolucionarët më të gatshëm për të djegur Tiranën. Kur u takuam më tha shkollat që kam parë në Kamëz nuk janë në lagjen më të pasur të qytetit tim. Po infrastruktura e Shqipërisë sot? Po shërbimet publike sot? Po vetë ky proces për të cilin unë e kam thënë që dhe unë vetë kam qenë i tmerruar, isha pre e idesë që administrata jonë nuk kishte kapacitete për të përballuar jetën e re me Europën. Thosha me kë do t’i bëjmë negociatat ne, kur të ulim këta tanët përballë atyre robotëve të BE? Jo një e dy, as 10, as 100, 1000 vetë! Përfshirë të gjitha këto që janë baza, arsyeja themelore pse sot njerëzit kanë pritshmëri shumë më të madhe dhe pse nuk gëzohen më pse po shtrohet një rrugë apo po rregullohet një urë, është e vërtetë e madhe politike, tamam dielli që nuk mbulohet me shoshë: Traktati i anëtarësimit të Shqipërisë. S’ka si të jetë në të njëjtën kohë e vërtetë që Shqipëria po bie në humnerë pafund dhe Shqipëria po hyn në faqen e fundit të BE duke përgatitur traktatin e anëtarësimit. Këto të dyja nuk rrinë bashkë!”, tha Rama.
Asambleja e PS, Rama: Mandatin e morëm për Shqipërinë në BE, jemi më afër se kurrë me takimin historik! Koha të ulim kokën dhe të punojmë, të gjithë të mobilizohen
Përgjegjësi, punë dhe përkushtim është kërkesa e Edi Ramës për socialistët, në një moment kur Shqipëria synon të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Para Asamblesë socialiste, Rama tha se Shqipëria ndodhet më afër se kurrë takimit të shumëpritur dhe kërkon mobilizim të plotë të PS.
“Mësimi i parë i arritjes te ky rekomandim historik është se një vend me probleme dhe një vend pa perspektivë janë dy gjëra krejt të ndryshme. Shqipëria e sotme ka një perspektivë më konkrete se kurrë dhe ndodhet më afër se kurrë takimit të shumëpritur me historinë. Mos harroni se kemi marrë një votë plebishitare me këtë kërkesë. Ju kujtohet kur gjithë këto grykët që nxirrnin nga bulçitë mediatike fjalët e kundërta ndaj nesh gjatë fushatës, thoshin për çfarë i duhet këtij një mbështetje më e madhe? Do të bëhet si Putini, si Erdogani? Përfytyroni sikur populli shqiptar të ishte aq i mangët sa këta dhe mos të na jepnin mandatin që na dha. Ne sot do të ishim pengje, nuk do të kalonim dot ligjet për shumicën që morëm. Atë shumicë e kemi marrë për Shqipërinë në BE. Është përgjegjësi historike që duhet ta ndiejë individualisht secili për të qenë atje në pjesën e tij të frontit, aktiv. Të gjitha forca e PS duhet të mobilizohen. I gjithë gjaku i organizmit të kësaj partie duhet të vlojë, sepse ne na ka rënë barra, por na është shkruar dhe fati që të gjendemi në këtë pjesë të historisë, ta përgatisim atë takim kur Shqipëria të jetë pjesë e Europës dhe Europa të flasë zyrtarisht edhe gjuhën e vjetër shqipe. Është përgjegjësi konkrete për të ulur kokën, për të komunikuar papushim, për të mbështetur pa u lodhur njerëzit, komunitetet që na e kanë dhënë ne këtë privilegj dhe që nesër të kemi mundësi të shohim me krenari të shkuarën dhe të themi isha edhe unë kur ndodhi ngjarja më e madhe e historisë së Shqipërisë. Është ajo që është përpara dhe varet nga ne në radhë të parë ta sjellim atë në kohë. Shqipëria s’mund të ndalet asnjë minutë”, tha Rama.
Rama në Asamble: Fakti që drejtësia godet edhe brenda PS-së, garanci për pavarësinë! Prandaj Shqipëria ka avancuar drejt BE-së
Kryeministri Edi Rama tha në Asamblenë e PS-së se përparimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian lidhet me krijimin dhe mbështetjen e organeve të pavarura të drejtësisë. Sipas tij, fakti që këto organe godasin korrupsionin deri në nivelet më të larta të pushtetit politik, edhe brenda PS-së, tregon se pavarësia e tyre është e garantuar.
“Hyrja në atë faqe nuk bëhet duke u zhytur në korrupsion, por duke krijuar dhe duke mbështetur organe të pavarura drejtësie që luftojnë korrupsionin deri në nivelet më të larta të pushtetit politik. Prandaj unë e kam thënë dhe e them: ndryshe nga çfarë nxjerrin bulçitë e grykëve publike, shqiptarët janë mjaft të mençur ta kuptojnë se fakti që sot dhe prej kaq vitesh ka organe të pavarura drejtësie që godasin këtu brenda është rrjedhojë e së vërtetës së madhe se këtu është garancia e paprekshmërisë së pavarësisë së drejtësisë.
Prandaj ka hyrë Shqipëria në atë faqe. Dhe nuk bëhet hyrja në atë faqe duke u mbyllur gojën kritikëve të qeverisë, se edhe kjo është legjendë urbane. Ndërkohë që ky vend, jo sot, por prej vitesh, është një vend që prodhon në ditë 60% përmbajtje kundër qeverisë, 30% përmbajtje neutrale dhe 10% përmbajtje pro qeverisë”, tha Rama.