Politike
“Pazare me paratë e të pandershmëve”, Braçe lëshon akuza të forta dhe për PS-në
Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër ndaj raportimeve që prej disa ditësh qarkullojnë në media, sipas të cilave ai ka arritur një marrëveshje politike me kryeministrin Edi Rama për të marrë drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë, në këmbim të tërheqjes nga gara për Bashkinë e Tiranës.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Braçe ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar raportimet si një fushatë linçimi ndaj tij.
Deputeti iu drejtua edhe qytetarëve që e kanë mbështetur ndër vite me votë, duke theksuar se nuk e ka përdorur asnjëherë besimin e tyre për interesa apo pazare personale.
Ai përmendi konkretisht mijëra votat e marra në Qarkun e Tiranës dhe në Bashkinë e Tiranës, duke nënvizuar se postet politike nuk kanë qenë asnjëherë qëllimi i tij.
“Nuk i kam përdorur kurrë për pazare personale mijëra votat që kam marrë që nga viti 1996 e këtej. Karriget nuk kanë qenë nevojë e imja, as nuk janë dhe as nuk do të jenë. Gjithmonë jam interesuar për punën”, u shpreh Braçe.
Gjatë reagimit, deputeti nuk i kurseu kritikat ndaj mediave që kanë publikuar lajmet për një marrëveshje të mundshme me Ramën, duke kundërshtuar mënyrën se si janë trajtuar këto pretendime.
Reagimi i Braçes:
Po tani?! Pesë ditë me radhë; Braçe në pazar me Ramën: Merr bujqësinë, meqë e ke merak, dhe ik nga Bashkia e Tiranës!
Pesë ditë rresht në çdo portal e media online; Shpërndarë pa fund kudo, shoqëruar me linçim online. Madje dje, një që po e quaj media, shkruante; Qeni që leh nuk të ha, sidomos kur e bën ministër!
Po turp a ke?! Apo ç’të duhet, më mirë kështu!
Dëgjoni, një gjë dua ta ndaj me cilindo që më ndjek e më ka votuar drejtpërdrejt 30 vite me radhë;
Ato 25 mijë votat në qarkun e Tiranës e diasporë, 19.300 votat në Bashkinë e Tiranës, mijëra vota të mbledhura në zgjedhje të drejtpërdrejta në 30 vite, s’i kam këmbyer kurrë në pazar personal!
Nuk kanë qenë, nuk janë, nuk do të jenë kurrë nevojat e mia karriget!
Gjithë jetën ia kam kushtuar punës, pooo puna është nevojë e imja, atë dua, punën!
Tani;
Hani pazaret e mbusheni gojën plot, siç hani edhe paratë e pisave – disa edhe në PS!