Kosova
Më 17 nëntor shpallet vendimi ndaj Thaçit dhe katër të akuzuarve të tjerë në Hagë
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin më 17 nëntor, në orën 10:00, aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarve të tjerë në rastin që lidhet me dyshimet për ndërhyrje te dëshmitarët.
Kjo është një çështje e veçantë gjyqësore, në të cilën Thaçi akuzohet për përpjekje për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Përveç Thaçit, në këtë proces janë të përfshirë edhe ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës 12 prill – 2 nëntor 2023, Thaçi dyshohet se u kishte përcjellë katër të akuzuarve informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e Prokurorisë, si dhe u kishte dhënë udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre.
Prokuroria pretendon se ish-presidenti kishte bashkërenduar tri grupe të veçanta me synimin për të ndikuar te dëshmitarët në procesin gjyqësor për krime lufte.
Ndaj Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrës, katër për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërkaq, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu përballen me nga dy akuza secili, ndërsa Hajredin Kuçi akuzohet për dy raste të mosbindjes ndaj gjykatës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin, duke kërkuar gjithashtu që koha e kaluar në paraburgim të mos përfshihet në llogaritjen e dënimit të mundshëm.
Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Vendimi i 17 nëntorit vjen pas aktgjykimit të shkallës së parë, të shpallur më 16 shtator 2026, në procesin kryesor për krime lufte, ku Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, së bashku me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.