Aktualitet
AMERIKA ARMATOS SHQIPERINE, 210 MILIONE DOLLARE PER SISTEMIN RAKETOR ‘HIMARS’
Departamenti amerikan i Shtetit ka miratuar një shitje të mundshme ushtarake për Shqipërinë, me vlerë të përllogaritur prej 210 milionë dollarësh, që përfshin dy sisteme raketore M142 HIMARS dhe pajisje të tjera ushtarake.
Sipas dokumentit zyrtar, qeveria shqiptare ka kërkuar blerjen e dy sistemeve M142 HIMARS, gjashtë moduleve raketore të drejtuara M31A2 GMLRS dhe gjashtë moduleve M30A2 GMLRS me koka luftarake alternative.
Financimi i blerjes do të realizohet përmes fondeve të huasë së programit amerikan Foreign Military Financing (FMF), mekanizëm që mbështet blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane nga vendet partnere.
Sipas autoriteteve amerikane, sistemet HIMARS do t’i sigurojnë Shqipërisë aftësi për goditje precize në distanca të gjata, duke u mundësuar Forcave të Armatosura të pengojnë, neutralizojnë dhe shkatërrojnë kërcënimet e mundshme.
Washingtoni vlerëson gjithashtu se kjo blerje do të përmirësojë ndjeshëm kontributin e Shqipërisë në planet mbrojtëse të NATO-s.
Në dokument theksohet se shitja e propozuar nuk do të ndryshojë ekuilibrin bazë ushtarak në rajon.
Kontraktori kryesor i marrëveshjes pritet të jetë kompania amerikane Lockheed Martin, me seli për këtë program në Grand Prairie të Texas-it.
Zbatimi i shitjes së propozuar do të kërkojë vizita në Shqipëri të deri 15 përfaqësuesve të qeverisë amerikane dhe 15 përfaqësuesve të kontraktorit, rreth dy herë në vit, për mbikëqyrjen e programit, vendosjen në përdorim të pajisjeve dhe trajnimin e personelit.
Miratimi nga Departamenti i Shtetit përbën një hap në procedurën e shitjes së mundshme dhe nuk nënkupton se kontrata përfundimtare është nënshkruar apo se pajisjet janë dorëzuar.