Kronike
Ndërroi tre identitete për t’i shpëtuar drejtësisë, ekstradohet nga SHBA autori i 3 vrasjeve
Pas 25 vitesh në arrati, Valentin Ftoni, 52 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për tri vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës, është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë.
Ftoni u arrestua më 8 tetor 2026 në Nju Jork, pas një hetimi të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese amerikane. Ekstradimi u realizua këtë të mërkurë, më 18 nëntor, në kuadër të operacionit të koduar “GLOBE”.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë qëndrimit në SHBA, 52-vjeçari kishte arritur t’i shmangej identifikimit duke përdorur tre identitete të ndryshme të falsifikuara: Valentin Bujaj, Parim Hajredini, me dokumente kosovare, si dhe Alexander Campusano, me identitet të Amerikës Qendrore.
Ftoni është dënuar dy herë nga Gjykata e Shkodrës, me nga 25 vite burg për secilin vendim, për tri vrasje të kryera gjatë viteve 2000 dhe 2001.
Vendimi i parë daton më 28 janar 2001, kur ai u shpall fajtor për vrasjen e dy shtetasve në fshatin Ças të Shkodrës, më 19 shtator 2000. Sipas vendimit gjyqësor, ngjarja kishte ndodhur për motive gjakmarrjeje.
Ndërsa më 18 nëntor 2008, Gjykata e Shkodrës e dënoi për herë të dytë me 25 vite burg, për vrasjen e një tjetër shtetasi, të kryer më 12 gusht 2001 në Shkodër.
Në të dyja vendimet, ai u shpall fajtor për vrasje me paramendim në bashkëpunim, si dhe për mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve.
Operacioni për arrestimin dhe ekstradimin e tij u realizua në bashkëpunim me autoritetet federale amerikane ICE-ERO dhe DSS/OCIU, me koordinimin e strukturave të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.