Aktualitet
Osman Stafa denoncon tmerrin në Spitalin Onkologjik: Pacientët me kancer kthehen në shtëpi për mungesë fijesh kirurgjikale
Një denoncim i gazetarit Osman Stafa ka ngritur shqetësime serioze për mungesën e materialeve mjekësore në Spitalin Onkologjik, ku sipas tij, pacientë me sëmundje tumorale janë detyruar të shtyjnë ndërhyrjet kirurgjikale për shkak të mungesës së fijeve për qepjen e plagëve.
Sipas denoncimit, pacientët kishin pritur për muaj të tërë për të mbërritur në datën e planifikuar të operacionit, por kur janë paraqitur në spital, u është komunikuar se ndërhyrja nuk mund të kryhej për shkak të mungesës së këtij materiali bazik.
Stafa rrëfen se pacientëve u është kërkuar të kthehen në shtëpi dhe të presin një telefonatë nga spitali, sapo të sigurohen materialet e nevojshme për operacionin.
Gazetari e ka cilësuar situatën si një skandal të rëndë, duke ngritur pikëpyetje mbi funksionimin e sistemit shëndetësor dhe sigurimin e materialeve më elementare për trajtimin e pacientëve.
Shqetësimi kryesor lidhet me faktin se bëhet fjalë për persona me tumore, për të cilët shtyrja e ndërhyrjeve mund të ketë pasoja në ecurinë e sëmundjes. Sipas Stafës, vonesat mund të lejojnë avancimin e tumorit dhe krijimin e metastazave.
(Telefonata me familjaren e pacientes)
Osman Stafa: “Alo. Përshëndetje, si jeni? Mirë jeni ju? Osman Stafa jam, më keni lënë numrin e telefonit aty dhe ju mora për t’ju pyetur në lidhje me mesazhin që më keni dërguar. Si është e vërteta?”
Qytetarja: “Po, kemi qenë planifikuar përpara për 2 muajsh për nënën, që duhet të operoheshim para disa ditësh. Dhe kur shkojmë atje, me të gjithë dokumentacionin e plotësuar, edhe këto na thanë që nuk kanë mjete të duhura në sallën e operacionit. Edhe na kthyen mbrapa. Ishin disa pacientë jo vetëm neve, kështu që janë kthyer të gjithë mbrapa për mungesë pajisjesh në sallë operacioni.”
Osman Stafa: “Konkretisht çfarë? Ju thanë gjë?”
Qytetarja: “Me çfarë biseduam edhe me mjekun edhe këto, na thanë që nuk ka fije për të qepur plagën.”
Osman Stafa: “Pra nuk ka penjë për të qepur plagën?”
Qytetarja: “Po.”
Osman Stafa: “Pra ka tumor në trupin e saj, nëna?”
Qytetarja: “Po.”
Osman Stafa: “Po si do ja bëni tani?”
Qytetarja: “Nuk e di, nuk e di se çfarë si do veprojmë, sepse duke qenë se atë ditë u anuluan disa operacione… në vazhdim i bie që do të zgjaten goxha shumë.”
Osman Stafa: “Si ndihesh ti teksa besoj e ke dëgjuar që qeveria shqiptare ka dhënë para për kopshtin Eden, ka dhënë para për koncertin e Keni West dhe nuk ka para për çështje që lidhen me shëndetin e njeriut dhe konkretisht për penj?”
Qytetarja: “Gjëja më absurde që mund të… me një fjalë, edhe pastaj pyesin veten pse largohen njerëzit nga Shqipëria, duke mos pasur gjë më minimale… atëherë çfarë presin të qëndrojmë këtu?”
Osman Stafa: “Unë të falenderoj shumë dhe uroj që me anë të këtij denoncimi penjtë të vijnë, dhe faleminderit që ma besove mua denoncimin tënd.”
Qytetarja: “Faleminderit dhe juve që jeni zëri jonë për çdo gjë, sepse kështu si kanë shkuar gjërat vetëm juve mund të… vetëm zëri juaj mund të.”
Osman Stafa:
“Nuk ka penj, penj për të qepur plagët. Kjo është çmenduria më e madhe që mund të kem dëgjuar sa i takon ndalimit të operacioneve për të sëmurët që vuajnë nga kanceri. Nuk e di, por kjo është çmenduri.”