Politike
Dëmtimi në këmbë/ Avokati Ndreca: Sot u konfirmua nevoja e Veliajt për ndërhyrje kirurgjikale
Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka ngritur shqetësimin për vonesën e ndërhyrjes kirurgjikale që, sipas tij, i është rekomanduar klientit të tij rreth dy javë më parë nga një mjek turk.
Përmes një reagimi publik, Ndreca bëri të ditur se vetëm këtë të mërkurë Spitali Memorial ka vënë në dispozicion të mbrojtjes grafinë dhe rezonancën magnetike të këmbës së Veliajt, pas kërkesave të përsëritura për sigurimin e dokumentacionit mjekësor.
Po gjatë ditës, kryebashkiaku është ekzaminuar nga një grup mjekësh të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Spitalit Memorial. Sipas avokatit, edhe mjekët shqiptarë kanë arritur në të njëjtin përfundim me specialistin turk, duke vlerësuar se Veliaj ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
Ndreca pretendon se gjatë dy javëve të fundit operacioni nuk është kryer dhe se klienti i tij ka marrë vetëm qetësues për dhimbjet, pa iu nënshtruar një trajtimi tjetër për këmbën. Ai gjithashtu pretendon se mbrojtja nuk ka pasur akses në kohë në dokumentacionin e plotë mjekësor.
Avokati ka ngritur pikëpyetje mbi arsyet e vonesës dhe përgjegjësinë për pasojat e mundshme në gjendjen shëndetësore të Veliajt.
“Dy javë të humbura për një këmbë që kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale! Kush mban përgjegjësi për këtë vonesë? A ka sjellë ajo përkeqësim të gjendjes së këmbës dhe kush do të përgjigjet për pasojat e mundshme?”, shprehet Ndreca.
Në reagimin e tij, avokati thekson se qëndrimi në paraburgim nuk duhet të pengojë të drejtën e një personi për të marrë kujdesin e nevojshëm shëndetësor në kohën e duhur.
Reagimi i plotë:
Pas dy javësh kërkesash të vazhdueshme për të siguruar dokumentacionin mjekësor të Erion Veliajt, vetëm sot Spitali Memorial ka vënë zyrtarisht në dispozicion grafinë dhe rezonancën magnetike të këmbës së tij.
Po sot, një grup mjekësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Spitali Memorial kanë ekzaminuar Veliajn, duke arritur në të njëjtin përfundim me mjekun turk, i cili rreth dy javë më parë kishte rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale.
Pra, u deshën dy javë për të konfirmuar atë që ishte konstatuar që në fillim: Veliaj kishte nevojë për operacion!
Gjatë këtyre dy javëve, ndërhyrja kirurgjikale nuk është kryer dhe, përveç qetësuesve të dhimbjes, Veliaj nuk ka marrë trajtim tjetër për këmbën. Ndërkohë, mbrojtjes i është mohuar në praktikë aksesi në dokumentacionin e plotë mjekësor, pavarësisht kërkesave të përsëritura.
Dy javë të humbura për një këmbë që kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale!
Kush mban përgjegjësi për këtë vonesë? A ka sjellë ajo përkeqësim të gjendjes së këmbës dhe kush do të përgjigjet për pasojat e mundshme?
Privimi nga liria nuk mund të nënkuptojë privim nga kujdesi shëndetësor në kohën e duhur.