Aktualitet
Vjedhja e 69 milionë lekëve të reja/ SPAK merr dosjen në hetim, dyshohet për grup të strukturuar kriminal
Dosja e vjedhjes së 69 milionë lekëve të reja në filialin e Postës Shqiptare në Durrës ka kaluar në kompetencën e SPAK-ut, pas dyshimeve se pas ngjarjes mund të fshihet një grup i strukturuar kriminal.
Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencën dhe ia ka përcjellë çështjen Prokurorisë së Posaçme. Sipas informacioneve të raportuara nga gazetarja Anila Hoxha, hetimet mund të shtrihen edhe te ish-zyrtarë që aktualisht gëzojnë imunitet parlamentar. Përfshirja e tyre mbetet në nivel dyshimi dhe kërkon verifikim nga organet hetimore.
Ndërkohë, Gjykata e Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-drejtoreshën e filialit, Elisabeta Mataj, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”. Vendimi është marrë pas kërkesës së saj dhe të mbrojtjes, e cila ka kundërshtuar pretendimin e prokurorisë se provat e mbledhura gjatë hetimit kanë rënduar pozitën e saj procedurale.
Mataj ndodhej në paraburgim që prej 18 korrikut dhe hetohet për vjedhjen në bashkëpunim, përmes shpërdorimit të detyrës, të 69 milionë lekëve të reja, fonde të destinuara për qytetarët në degët e Postës Shqiptare në Shijak dhe Krujë.
Në të njëjtën dosje janë nën hetim edhe ish-shefja e financës, Valbona Duni, dhe arkëtarja Paola Dana, të cilat ndodhen gjithashtu në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Kalimi i çështjes në SPAK pritet të zgjerojë verifikimet për mënyrën se si janë marrë fondet dhe nëse pas vjedhjes qëndron një skemë më e gjerë, me përfshirjen e personave të tjerë.