Politike
Braçe sfidon qeverinë: Kush rrezikon buxhetin, të largohet nga kabineti
Deputeti socialist Erion Braçe ka lëshuar kritika të forta ndaj qeverisë gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2027, duke kërkuar largimin e ministrave që nuk arrijnë të realizojnë shpenzimet e parashikuara dhe rrezikojnë zbatimin e buxhetit të shtetit.
Nga foltorja e Kuvendit, Braçe e cilësoi të papranueshme situatën e përsëritur ndër vite, ku të ardhurat buxhetore realizohen, por shpenzimet e planifikuara mbeten pa u kryer. Sipas tij, administrimi joefektiv i fondeve publike nuk mund të justifikohet dhe përgjegjësia duhet të ketë pasoja politike.
“Ministrat që nuk realizojnë shpenzimet e parashikuara në buxhetin e shtetit duhet të ikin nga qeveria. Nuk ua ka borxh kurrkush paaftësinë dhe padijen për të përdorur paranë publike me efektivitet”, deklaroi Braçe.
Ai paralajmëroi se kushdo që rrezikon realizimin e buxhetit dhe krijon probleme serioze në përdorimin e fondeve publike nuk duhet të qëndrojë më në qeveri.
Kritikat e deputetit socialist u shtrinë edhe te industria, për të cilën kërkoi një reformë të plotë. Braçe vuri në dukje rënien e këtij sektori, pavarësisht burimeve natyrore që disponon vendi, duke ia atribuar krizën modelit aktual të zhvillimit dhe abuzimeve.
Ai u ndal veçanërisht te bizneset e industrisë së lehtë që prodhojnë me material porositësi dhe eksportojnë. Sipas tij, qeveria u kërkon këtyre sipërmarrjeve të ndryshojnë modelin e biznesit, por nuk u ofron mbështetjen e nevojshme për të përballuar kostot. Si zgjidhje konkrete, Braçe propozoi përjashtimin e tyre nga taksat doganore për lëndët e para.
Pjesë nga fjalimi i deputetit Erion Braçe në Kuvend:
“Ajo që unë nuk pranoj është që qeveria të rrezikojë buxhetin. Më qartë, mosrealizimi i buxhetit, i të ardhurave dhe i shpenzimeve, në variantin që ka disa vite që po ndodh, realizimi i të ardhurave dhe mosrealizimi i shpenzimeve, është i papranueshëm.
Vjet këtu thashë që ministrat që nuk realizojnë shpenzimet e parashikuara në buxhetin e shtetit duhet të ikin nga qeveria.
Nuk ua ka borxh kurrkush paaftësinë dhe padijen për të përdorur paranë publike me efektivitet, abuzimin me të jo e jo.
Kështu që i mbetem të njëjtës kërkesë që kush rrezikon realizimin e buxhetit të shtetit dhe sjell risk serioz për të, nuk ka pse të rrijë më në qeveri…
Nuk e pranoj dot që, me aq shumë burime natyrore, ne të vijojmë të biem në industri. Duhet reformë totale në sektorin e industrisë. Duhet të ndalim krizën e ardhur nga modeli dhe abuzimi skandaloz me të.
Kam edhe një vërejtje për industrinë e lehtë, atë që prodhon këtu me material porositësi dhe eksporton.
E kam dëgjuar vazhdimisht qeverinë të thotë që ata duhet të ndryshojnë modelin e tyre të biznesit. Patjetër, por kjo kushton dhe shpenzimet i paguajnë gjithnjë ata. Ndërkohë, duhet t’u sugjerojnë si bëhet kjo dhe, patjetër, ata njerëz meritojnë qoftë edhe një favor të thjeshtë nga qeveria: të çlirohen nga taksa doganore për lëndët e para.
Bujqësia ka më shumë para se vitet e mëparshme. Nuk mjaftojnë, por na mungon një plan i qartë, i shtrirë në kohë, se çfarë do të bëjmë me dy asetet: me tokën dhe bujqit.
Përqendrimi i ekonomisë në dy sektorë, i rritjes në këta dy sektorë, i të ardhurave po aty, i krahut të punës po aty, aq sa operatorët e paktë të turizmit dhe ndërtimit po kthehen në punëdhënësit e vetëm, nuk është i mirë për demokracinë.
Ne e kemi aktualitetin partiak të tillë që drejtuesit e jo vota caktojnë mbajtësit e pushtetit: ministra, deputetë, kryetarë bashkish, këshilltarë, drejtorë e kështu me radhë. Do të jetë e rëndë që të pasurit, që po përqendrojnë të ardhurat e punëtorëve, të përcaktojnë kryetarët e tyre, deputetët e tyre, përmes fuqisë ekonomike dhe kontrollit mbi punëtorët e tyre.
Varësia e pushtetit vendor, veçanërisht nga transfertat e qeverisë dhe, nga krahu tjetër, nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, është një element tjetër negativ, jo vetëm për pavarësinë e pushtetit vendor, për autonominë e tij, por edhe për demokracinë.
Edhe për zhvillimin në territor, me fokus mjedisin.
Patjetër që kemi bërë mirë që kemi trefishuar, katërfishuar kompensimin e të ardhurave pensionale, por ama duhet t’i bëjmë të qëndrueshme, si pjesë e masës së pensionit, duke garantuar qëndrueshmërinë e skemës me një reformë të pensioneve.
Të paktën të kishim një buxhet që financon deri në fund të gjitha nevojat e shëndetësisë, përfshirë edhe ato të listës së barnave, duke e nxjerrë listën e barnave nga e varësia e një oligarku, pa e kthyer shtetin në një monopolist për sa i takon sigurimit të barnave.