✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

ALFRED CAKO TREGON KU BEN PJESE DHE PSE AI ME GRUPIMIN E TIJ DO TA RREZOJNE RAMEN

Konspiracionisti Alfred Cako ka prezantuar objektivat dhe mënyrën e organizimit të një nisme të re politike dhe qytetare, të quajtur “Aleanca Sovrane”, e cila synon të krijojë një front të përbashkët kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Megjithëse ka qenë i përfshirë në organizimin fillestar të kësaj nisme, Cako ka theksuar se nuk do të mbajë funksione drejtuese dhe nuk do të jetë pjesë e ndonjë grupimi politik.

“Unë nuk do të jem pjesë e asnjë grupimi politik. Unë do jem një katalizator aq sa të kem mundësi, do t’i ndihmoj të gjithë faktorët të grumbullohen, të bashkohen”, deklaroi ai.

Sipas Cakos, platforma është krijuar për të bashkuar intelektualë, aktivistë dhe parti të vogla, të cilat, sipas tij, nuk kanë pasur mundësi të përfaqësohen në mënyrë të barabartë në sistemin aktual politik. Ai përmendi emra si Elena Kocaqi, Akil Pano, Kastriot Çipi dhe Altin Goxhaj, ndërsa deklaroi se në platformën digjitale janë regjistruar deri tani rreth 600 persona. Këto të dhëna nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Cako shpjegoi se nisma synon të krijojë një strukturë pa një kryetar të përhershëm, ku vendimmarrja do të realizohet përmes votimeve të anëtarëve.

“Nuk ka kryetar. Kryetari do jetë i përkohshëm, do jetë një kryesi e cila do zgjidhet me votime, do jetë një asamble e madhe e cila mund të jetë 150 apo 200 vetë”, u shpreh ai.

Sipas modelit të propozuar, drejtuesi do të ndryshojë çdo muaj me rotacion, ndërsa vendimet për organizimin e protestave do të merren nga kryesia përmes komunikimit dhe votimeve në grupet online. Një tjetër element i organizimit, sipas Cakos, është përzgjedhja e anëtarëve të strukturave drejtuese. Ai deklaroi se personat që kanë punuar në organizata joqeveritare apo kanë përfituar financime nga organizata ndërkombëtare nuk do të lejohen të marrin funksione drejtuese.

Pjesë nga intervista:

-Ti ke krijuar një lëvizje sovrane. Ka nisur puna për këtë?

Alfred Cako: Jo kam krijuar, nuk e kam krijuar unë. Unë nuk do bëj pjesë në asnjë grupim politik.

-Atëherë si është e vërteta e kësaj lëvizjeje?

Alfred Cako: E vërteta është kështu. Është krijuar Aleanca Sovrani, e cila nuk do lejojë si në vitin ’41 që, nuk i dinim gjërat atëherë, që Shqipëria të bjerë në dorë të globalistëve. Të majtët mund ta kishin bërë Shqipërinë një Zvicër në qoftë se komunistët nuk do ta kishin marrë pushtetin në ’44-ën dhe shqiptarët mos ishin aq naivë sa u treguan atëherë kur lejuan komunistët të merrnin pushtetin. Ne sot nuk bëjmë protesta për të mos ikur rinisë shqiptare në emigracion për shkak të kushteve të këqija të krijuara apostafat nga Rilindja, por ne do bëjmë protesta që mos ishte rroga 700 euro në muaj, po të ishte 8000 euro.

-Pra kjo është një lëvizje vetëm për informim?

Alfred Cako: Aleanca Sovrani është një alternativë që për shembull do të hyjë në zgjedhje. Aleanca Sovrani është krijuar në Google. Është një platformë ku po regjistrohen njerëzit, ka rreth 10 ditë që është krijuar dhe unë jam pjesë e saj që kam ndihmuar që të organizohen një grup i mirë intelektualësh më të shquar ku bëjnë pjesë si Elena Kocaqi, Akil Pano, Kastriot Çipi, Altin Goxhaj… edhe dhjetëra figura të tjera. Dhe ne krijuam një grup të përbashkët që quhet lëvizja sovrane në rrjetet sociale. Dhe këtu jemi komunikuar vazhdimisht dhe tani krijuam platformën sepse prapë atë që deshte të bënte mikrofoni për të mbajtur në kontroll këto flluska protestash, atë po përpiqen ta bëjnë disa platforma që krijojnë këta të majtët, këta OJF-istët, të cilët duan që të marrin në kontroll…

-Po cili është objektivi i kësaj lëvizjeje?

Alfred Cako: Objektivi i kësaj lëvizjeje është të grumbullojë të gjithë individët patriotë që thonë bukës bukë e ujit ujë, të grumbullohen në këtë aleancë, në këtë front, i cili do të grumbullojë partitë e vogla të cilat kanë treguar që janë parti patriotesh, por sistemi nuk i ka lejuar të zhvillohen. Të tilla janë për shembull Partia e Elena Kocaqit, Partia Atdheu e Kreshnik Osmanit, janë shumë parti të tjera që janë krijuar, ndoshta dhe Partia e Shehajt i cili ka një traditë të djathtë, një origjinë të djathtë, mund të futen dhe ata në qoftë se dëshirojnë dhe do të gjendet një gjuhë konsensuale për të propozuar kandidatura…

-Pra të dilni me një alternativë të vetme.

Alfred Cako: Të dilet me një alternativë të vetme që të dilet në zgjedhje të bashkuara.

-Po sa për zgjedhjet që vijnë tani në nëntor, për shembull?

Alfred Cako: Do të përpiqemi… ato do të mblidhen pastaj, po sa po krijohet struktura. Ne do krijojmë aty, ky është objektivi i nismëtarëve, ne do krijojmë, e kemi krijuar edhe programin, është programi…

-Për shembull kush do të jetë kryetar i kësaj lëvizjeje?

Alfred Cako: Nuk ka kryetar. Kryetari do jetë i përkohshëm, do jetë një kryesi e cila do zgjidhet me votime, do jetë një asamble e madhe e cila mund të jetë 150 apo 200 vetë. Deri tash janë regjistruar 600 vetë, janë regjistruar. Këto janë sigurisht, ai që mban serverin ka kontrollin, vetëm një person, dhe gjithkush që do të ruajë anonimitetin e ka të ruajtur, nuk i del emri se ka njerëz që mund të jenë në administratë në punë dhe nuk duan që të dalin. Këtu jepet vetëm numri i telefonit dhe emër e mbiemër dhe futen. Kush dëshiron do t’i futim në një grup të përbashkët në këto platformat elektronike dhe aty do bisedojmë dhe do marrim vendime. Po e them edhe njëherë, unë nuk do të jem pjesë e asnjë grupimi politik, unë nuk do jem brenda këtyre.

Unë do jem një katalizator aq sa të kem mundësi, do t’i ndihmoj të gjithë faktorët të grumbullohen, të bashkohen dhe këtu në strukturat do vendosen kritere. OJF-istët, ata që marrin lekë duke u shërbyer ndërkombëtarëve dhe e kanë krijuar mirëqenien e tyre duke u zhdërvjellur, duke u shërbyer globalistëve ndërkombëtarë sa herë që ata kanë nevojë, nuk do kenë vend në këtë asamble. Ata që kanë studiuar me bursat e këtyre globalistëve që i kanë bërë shkollat jashtë, nuk do të kenë vend në asamble. Mund të regjistrohen si anëtarë, por nuk do jenë pjesë e strukturave. Çdo emër që do jepet që do kandidojë për asamblenë, në kryesi dhe në këto sekretariatet, do kontrollohet me ChatGPT nëse ka qenë pjesë e një OJF-je dhe ka marrë para nga ndërkombëtarët. Këta nuk do të pranohen.

-Pra kjo alternativë që po thoni, do të dalë më në fund nga protesta dhe do të përballet me establishmentin?

Alfred Cako: Kjo do regjistrohet në gjykatë, do marrë kontrollin e protestave dhe do detyrojë… si do detyrohen? E di si detyrohen këta të dorëzohen?

– Si?

Alfred Cako: Blloko AKSHI-n, të gjithë serverat, hiq korrentin, pa u dëmtuar asnjë gjë, por kur kontrollohet nga një kryesi, këto realizohen. Nuk do të lejohet të thyhen edhe të shkatërrohen ambientet publike. Kush do shkatërrojë nuk do jetë pjesa jonë dhe ambientet private. S’ka të thyhen semaforë…

-Ndërhyrja në sisteme është shkatërrim.

Alfred Cako: Kjo është me dhunë po nuk shkatërrohet asgjë. Hiqen serverat, mbahet AKSHI i rrethuar dhe nuk lejohet të punojë asnjë institucion publik i cili i ka të gjithë serverat te AKSHI. E dyta, bllokohet Ministria e Financave, degët e thesarit, bllokohet dega e thesarit, mbahet në kontroll dhe i thuhet qeverisë: Do ikësh, largohu, kusht i panegociueshëm. Rama duhet të largohet, le të vejë atje ku japin ato dekoratat që i futën si antishqiptar që vret dhe plagos rininë shqiptare, le të shkojë atje të rrijë me ata. Edhe më vonë kur të ndërrojë politika në Shqipëri, do vijë dhe do japë llogari për të gjitha këto që ka bërë dhe që mendon të bëjë duke qenë një kukull e globalistëve dhe e ndërkombëtarëve.

Nuk do të ketë kryetar, kryesia, kryetari do jetë i përkohshëm, për shembull për një muaj do jetë sipas rendit alfabetik me rotacion. Vendimet për organizimin e protestës pastaj do të merren nga kryesia me votim çdo ditë në grupet online. Pasi të merret vendimi, kryetari do jetë thjesht një zëdhënës. Do dalë dhe do thotë në rrjetet sociale, do japë një intervistë, do thotë: Unë jam kryetari njëmujor i protestës së Aleancës Sovrani dhe protesta do bëhet filan ditë, filan ditë, filan orë, do grumbullohemi në filan vend dhe do bëhen ato që duam të zbatojmë gjatë protestës. Të mos preket asnjë pronë private, të mos thyhet, të mos shkatërrohet.

Sigurisht policisë duhet t’i përgjigjemi me dhunë të balancuar. Aq dhunë sa përdor ajo, aq dhunë do përdorim edhe ne. Deri më sot policia është treguar antishqiptare, është kthyer në një polici politike që i shërben establishmentit politik antishqiptar që qeveris sot Shqipërinë. Dhe është tragjike që policët e thjeshtë që nuk marrin as ato që jep Rama, për 500 euro rrogë, të sulen dhe të rrahin vëllezërit e fëmijëve të tyre të cilët derdhin djersën dhe gjakun atje në protestë për interes të fëmijëve të tyre.

Advertisement