✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

TRUMP-PUTIN-XIJINPING RIFORMATOJNE BOTEN

Ka përfunduar pas rreth 40 minutash takimi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin në Shenzhen të Kinës, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC). Para bisedimeve, Trump vlerësoi marrëdhëniet me homologun rus, duke e quajtur mik dhe duke theksuar se njihen prej shumë vitesh.
“Kemi marrëdhënie të shkëlqyera prej shumë vitesh. Ai është miku im”, u shpreh Trump.
“Njohim njëri-tjetrin prej shumë kohësh dhe mendoj se nga ky takim mund të dalin shumë gjëra të mrekullueshme, ose të paktën mund të jetë një fillim”, shtoi presidenti amerikan.
Sipas CNN, Shtëpia e Bardhë e përshkroi takimin si një bisedë informale në margjinat e samitit, dhe jo si një takim zyrtar dypalësh.
TaniTrump ka nisur bisedimet me presidentin kinez Xi Jinping.
Më pas pritet të zhvillohet samiti trepalësh mes Trump, Putin dhe Xi Jinping, hera e parë që udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës do të ulen së bashku në një takim të këtij formati.
Në tryezën e bisedimeve pritet të jenë lufta në Ukrainë, konflikti me Iranin, kontrolli i armëve bërthamore dhe marrëdhëniet mes tri fuqive.
“Mendoj se jemi shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje. Do të kemi një takim të frytshëm për këtë çështje”, tha presidenti amerikan për luftën në Ukrainë para nisjes për në kinë.
Në një intervistë për Fox News, Trump tha gjithashtu se do të dëshironte që Rusia dhe Kina të mos i zgjeronin arsenalet e tyre bërthamore, megjithëse pranoi se arritja e një marrëveshjeje për çarmatimin do të ishte e vështirë.
Presidenti amerikan foli edhe për mundësinë e reduktimit të arsenalit bërthamor të SHBA-së me 2 mijë koka bërthamore.
“Në të vërtetë mjaftojnë rreth dhjetë, nëse doni ta dini të vërtetën”, deklaroi Trump, duke iu referuar fuqisë shkatërruese të këtyre armëve.
Sa i përket Iranit, Trump tha se nuk ka nevojë për ndihmën e Rusisë dhe Kinës për t’i dhënë fund konfliktit.
“Nuk kemi nevojë për asnjë ndihmë. Kemi mposhtur marinën e tyre, forcën e tyre ajrore dhe sistemin e tyre të mbrojtjes kundërajrore. Ata duan të arrijnë një marrëveshje, prandaj nuk kam nevojë për ndihmë”, deklaroi ai për Fox News.
Ndërkohë, një ditë më parë, Xi Jinping zhvilloi një takim rreth dyorësh me Vladimir Putinin, ku u diskutua forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ekonomik mes Kinës dhe Rusisë.
Pekini e ka cilësuar samitin trepalësh si një takim me rëndësi të veçantë, ndërsa bisedimet do të zhvillohen në rezidencën qeveritare Kylin Villa, në Shenzhen.
Megjithatë, mes tre vendeve mbeten dallime për çështjet që do të diskutohen, veçanërisht për Ukrainën. Sipas Corriere della Sera, Putin dëshiron ta trajtojë këtë çështje pa pjesëmarrjen e europianëve, Trump është i gatshëm, ndërsa Xi Jinping preferon të shmangë tensionet me Bashkimin Europian.

Kremlini zbardh takimin Trump-Putin: Diskutuan kryesisht për luftën në Ukrainë! Presidenti rus u largua me humor shumë të mirë

1795023295_donaldtrump.jpeg

Kremlini e ka cilësuar pozitiv takimin mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin në Shenzhen të Kinës.

Sipas presidencës ruse, dy liderët diskutuan kryesisht për luftën në Ukrainë, si dhe për çështje që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe mes SHBA-së dhe Rusisë.

Kremlini bëri të ditur gjithashtu se Putin u largua nga takimi “me humor shumë të mirë”.

Vetëm një kamerë u lejua në sallë! Detajet nga takimi Trump-Putin në Kinë, kush ishin zyrtarët që i shoqëruan dy presidentët (VIDEO)

Një detaj që tërhoqi vëmendjen nga takimi mes Donald Trump dhe Vladimir Putinit në Shenzhen ishte kufizimi i rreptë i pranisë së mediave. Brenda sallës u lejua vetëm një kamerë televizive, ndërsa dy presidentët shoqëroheshin nga bashkëpunëtorët e tyre më të afërt.

Në krah të Trump ishin sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ndërsa Putin shoqërohej nga ministri i Jashtëm Sergei Lavrov dhe zyrtarë të tjerë të lartë rusë.

Ky ishte takimi i tyre i tetë ballë për ballë, pas atij në Alaskë në vitin 2025, ku bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë nuk sollën një marrëveshje zyrtare.

Tre liderët më të fuqishëm të botës në një tryezë, por me interesa të kundërta! Ja çfarë kërkojnë të fitojnë Trump, Putin dhe Xi Jinping nga samiti në Kinë

Një përqafim i pazakontë mes Xi Jinping dhe Donald Trump, nga njëra anë, dhe vlerësimet e presidentit kinez për Vladimir Putinin, nga ana tjetër. Xi i cilësoi marrëdhëniet mes Kinës dhe Rusisë “të forta si shkëmbi përballë erës dhe shiut”.

Dy takime dypalëshe që i paraprinë samitit trepalësh në Shenzhen, të cilin shumë e kanë krahasuar me një “Jaltë 2”, duke iu referuar takimit të vitit 1945 mes Franklin Roosevelt, Winston Churchill dhe Josif Stalin, që çoi në ndarjen e botës në zona influence. Megjithatë kushtet sot janë të ndryshme dhe tre liderët kanë interesa strategjike që bien ndesh me njëri-tjetrin. Por çfarë kërkon secili prej tyre nga ky takim?

Sipas analizës së Corriere della Sera, Trump, i dobësuar pas humbjes në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, shpreson të arrijë suksese në politikën e jashtme. Ai synon të marrë lëshime nga Putin që do t’i hapnin rrugë përfundimit të luftës në Ukrainë, por kërkon edhe rezultate konkrete për armët bërthamore, krizën në Lindjen e Mesme dhe tregtinë.

Nga ana tjetër, Xi Jinping synon ta shfrytëzojë takimin për të forcuar imazhin e tij si një udhëheqës me rol në qeverisjen e re botërore, pa marrë përsipër angazhime detyruese. Presidenti kinez nuk është i interesuar për një marrëveshje që do të ngrinte në nivelet aktuale arsenalet bërthamore, pasi Kina ka arsenalin më të vogël nga të tre vendet. Ai kërkon gjithashtu përfundimin e luftës në Iran, e cila po ngadalëson furnizimet me naftë përmes Ngushticës së Hormuzit.

Ndërsa Putin e sheh takimin si një mundësi për ta paraqitur Rusinë si superfuqi në të njëjtin nivel me SHBA-në dhe Kinën. Presidenti rus shpreson të sigurojë lëshime që do t’i mundësonin përfundimin e luftës në Ukrainë në kushte të favorshme për Moskën, pa ndërhyrjen e europianëve dhe pa praninë e Kievit në bisedime.

 

Advertisement