Politike
Berisha sulmon Ramën: Njeriu më i urryer i kombit, pensionistët nuk blejnë dot ilaçe
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi takimin e radhës në kuadër të “Foltores së Ripërtëritjes” së PD-së në Korçë, ku kritikoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, ndërsa kërkoi që opozita të përqendrohet te problematikat ekonomike dhe sociale të qytetarëve.
Gjatë fjalës së tij, Berisha përdori tone të ashpra ndaj kryeministrit Rama, duke deklaruar se, sipas tij, ai është “njeriu më i urryer i kombit në histori”. Berisha iu referua edhe protestave kundër qeverisë, duke përmendur incidente ku protestues kanë hedhur vezë dhe domate ndaj kryeministrit.
Kreu i PD-së u ndal më tej te gjendja ekonomike e qytetarëve, duke argumentuar se opozita duhet të fokusohet te shqetësimet konkrete të shqiptarëve. Ai deklaroi se, sipas vlerësimit të tij, qytetarët përballen me varfëri dhe paga të ulëta në raport me vendet e tjera europiane.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Korçës, të pranishëm në këtë sallë, në qytet, në fshatra, në këtë qark dhe kudo që jeni sot, përshëndetjet e mia më të përzemërta, nderimin tim më të madh për ju, shpirtin tuaj liridashës, shpirtin tuaj punëtor, virtytet tuaja.
Të dashur miq, sot vij këtu në takimin e shtatë pas 15 tetorit të vitit 2021.
Atëherë kam ardhur në një foltore, në të cilën ne u betuam për të shpëtuar opozitën.
Dashuria për Korçën, dashuria për Shqipërinë na ftonte ne që të qëndronim që Shqipëria dhe Korça të kishin një opozitë të vërtetë.
Në këto vite ne kaluam, të themi një lloj kalvari, por ne nuk u mposhtëm. Jo se ne jemi të mbinatyrshëm, jo, por se kauzat që ne mbronim ishin kauza të drejta, ishin kauza frymëzuese.
Ndaj dhe ne sot nuk mblidhemi më për çështjet tona, por ne sot mblidhemi këtu në këtë Foltore të Ripërtëritjes për çështje të qytetarëve të Korçës dhe mbarë Shqipërisë.
PD dhe opozita kapërceu betejat e veta, por ato nuk ishin qëllim në vetvete. Ato kishin një qllim, një opozitë të vërtetë, e cila të shndërrohej në lokomotivë të forcës së forcave opozitare dhe shpëtimit të Shqipërisë nga ky regjim.
Ndaj dhe kjo Foltore e Ripërtëritjes është një apel, është një kushtrim për çdo qytetar, për të gjithë Korçën në këmbë.
Për çdo pogradecar dhe Pogradecin në këmbë.
Për Kolonjën dhe kolonjarët në këmbë.
Për Devollin dhe devollinjtë në këmbë.
Sot, të gjithë në këmbë drejt fitores tonë, drejt shpëtimit të Shqipërisë nga ky regjim antishqiptar.
Nga ky regjim, i cili ka dëmtuar qenien tonë si shqiptarë në themel më shumë se çdo pushtim tjetër në shekuj e shekuj.
Ky regjim ka pakësuar në mënyrën më dramatike qenien tonë.
Sot në Korçë, sot në Shqipëri lindin fëmijë aq sa ç’lindnin 100 vite më parë kur Shqipëria në territorin e saj kishte gjithsej 1 milion banorë.
Sot në 1 mijë shqiptarë rezidentë në Shqipëri, 466 janë të regjistruar në BE.
Po të shtojmë këtu ata që jetojnë në vendet e tjera jashtë BE, u garantoj se mbi 60 përqind e kombit nuk ndodhet më në Shqipëri.
Asnjë komb, në asnjë luftë, në asnjë epidemi, në asnjë fatkeqësi, nuk ka pasur në 10 vite një pakësim si ky që kemi sot.
Sot Edi Rama është bërë njeriu më i urryer i kombit në histori.
8 mijë kilometra nga Tirana dhe shqiptarët e gjuajnë me vezë e domate.
U lumtë!
Theksova se koha kërkon nga ne të merremi me të gjithë potencialin tonë, me problemet e mëdha të qytetarëve.
Probleme me një dhimbje të jashtëzakonshme.
Probleme që kushtojnë qindra dhe mijëra jetë.
Sot, shqiptarët janë më të varfrit, më të keqpaguarit në të gjithë Evropën, në të gjithë Ballkanin.
Sot mijëra e mijëra pensionistë shqiptarë u shkurtojnë jetën sëmundjet sepse nuk mjekohen dot, sepse nuk marrin dot ilaçet.
Një mik i imi, i cili është në pension dhe merr një pension jo të vogël, e lexoj, shkruante një ditë: shkova në farmaci për të marrë ilaçin, ilaçi ishte për ata që jepet kundër mpiksjes së gjakut. Farmacistja më tha që nuk ka marrë rimbursim.
E llogarita ilaçin që duhej të blija, në një vit më kushtonte tre pensione vetëm ky ilaç.
Po unë t’u them ju, se për ata që nuk kanë pension të plotë, ky ilaç kushton 12 pensione.
Çfarë do të thotë? Këtë ilaç nuk mund ta marrin. Por mpiksja e gjakut me moshën shtohen.
Po sa e sa nëna e baballarë, njerëz të nderuar që kanë shkrirë jetën e tyre për të mësuar fëmijët tanë, në ara, në biznese, në ferma, në fabrika dhe kudo, infermierë që kanë kaluar jetën duke ndihmuar të sëmurët, tani nuk marrin ilaçet me këto pensione.