Politike
Koçiu në mbledhjen e Grupit të PS: Janë sekuestruar 65 mln euro pasuri nga krimi
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, raportoi këtë të enjte para Grupit Parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë, në një mbledhje të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, në prani të Kryeministrit Edi Rama. Në fjalën e saj, Koçiu vuri theksin tek lufta kundër paligjshmërisë dhe goditja e aseteve që burojnë nga aktiviteti kriminal. Sipas ministres, bashkëpunimi ndërinstitucional ka qenë thelbësor për arritjen e këtyre rezultateve konkrete. Një tjetër fokus i raportimit ishte edhe përdorimi i pasurive të sekuestruara në funksion të komuniteteve në nevojë. Koçiu theksoi se drejtësia nuk duhet parë vetëm si ndëshkim, por edhe si mbështetje për qytetarët.
Në vijim, ministrja u shpreh:
“Do të vazhdoja pak edhe te cikli i reformave të ligjshmërisë, i cili nuk mund të jetë i plotë nëse nuk nisemi e godasim zemrën e paligjshmërisë, që janë paratë e asetet e krimit. Një vit më parë nga puna e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe institucioneve ligjzbatuese kemi sekuestruar dhe konfiskuar një vlerë, e cila më parë ishte e paimagjinueshme. Janë 65 milionë euro asete e pasuri të sekuestruara dhe konfiskuara, të cilat nga njëra anë është mirë që kemi realizuar një mbledhje e grumbullim të tillë falë edhe kapaciteteve tona reale e virtuale, por nga ana tjetër është e rëndësishme të theksojmë këtu sa e domosdoshme është bashkëpunimi ndërinstitucional. Një gjë që duhet ta vlerësojmë këtu është puna dhe përpjekja që jemi duke kryer kur vjen puna te transformimi i tyre në një mbështetje konkrete për komunitetet në nevojë. Kemi ngritur një mekanizëm që na jep një kornizë të qartë ligjore dhe që i mobilizon të gjithë këto asete në funksion të komuniteteve vulnerabël.
Konkretisht, në 2025-n, kemi sekuestruar gjithsej 726 pasuri. Prej tyre, janë konfiskuar 64 pasuri, të cilat kanë kontribuar në mbështetjen e 15 projekteve me karakter social dhe me një impakt të drejtpërdrejt në komunitetet vulnerabël. Gjithashtu janë vendosur në përdorim të institucioneve publike, rreth 20 institucione publike kanë përfituar nga këto asete me qëllim përmirësimin dhe organizimin e mëtejshëm të punës së tyre. Jemi duke punuar për bazën ligjore, për t’i transferuar pronat e konfiskuara dhe sekuestruara edhe në dobi të të gjithë atyre familjeve që kanë humbur familjarët e tyre, punonjës të policisë, të rënë në krye të detyrës, duke iu garantuar atyre një mbështetje të mëtejshme. Sepse besojmë që drejtësia nuk është vetëm ndëshkim për kriminelët, por edhe solidaritet për ata që sakrifikojnë për mbrojtjen e ligjit dhe jetës së qytetarëve.”