Politike
LEVIZJE E RE NGA BRUKSELI PER SHQIPERINE, DREJT MBYLLJES SE NJE TJETER KAPITULLI
Komisioni Evropian ka paraqitur në Këshillin e Bashkimit Evropian projektpozicionin e përbashkët të BE-së për Kapitullin 21, “Rrjetet transevropiane”, në kuadër të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
Çështja u diskutua më 10 nëntor në Grupin e Punës për Zgjerimin dhe Vendet që Negociojnë Anëtarësimin në BE (COELA), sipas agjendës zyrtare të Këshillit.
Një burim i informuar mbi diskutimet konfirmoi për Albanian Post se Komisioni paraqiti projektpozicionin, pa pasur pyetje të mëtejshme nga përfaqësuesit e shteteve anëtare.
“Komisioni paraqiti projektpozicionin e përbashkët të BE-së, pa pyetje të mëtejshme nga shtetet anëtare”, bëri të ditur burimi, duke sqaruar se diskutimi ishte shumë i shkurtër.
Sipas tij, presidenca e Këshillit ka vendosur datën 16 nëntor si afat për dorëzimin e komenteve nga delegacionet mbi tekstin e propozuar.
“COELA do t’i rikthehet çështjes në një nga mbledhjet e ardhshme pas kësaj date”, shtoi zyrtari evropian.
Ky zhvillim përbën një hap procedural drejt shqyrtimit të mbylljes së Kapitullit 21, por nuk nënkupton se shtetet anëtare kanë miratuar tashmë pozicionin e përbashkët apo mbylljen e kapitullit.
Objektivi për gjashtë kapituj deri në fund të vitit
Shqyrtimi i Kapitullit 21 vjen ndërsa Shqipëria synon të përshpejtojë procesin e mbylljes së kapitujve të negociatave, në përputhje me kalendarin indikativ të publikuar nga Komisioni Evropian në Paketën e Zgjerimit 2026.
Sipas udhërrëfyesit, gjashtë kapituj parashikohen për mbyllje deri në fund të këtij viti, përfshirë rrjetet transevropiane, pronësinë intelektuale, politikën ekonomike dhe monetare, të drejtën e shoqërive tregtare, peshkimin dhe akuakulturën, si dhe politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Kryenegociatorja shqiptare, Majlinda Dhuka, deklaroi së fundmi në Kuvend se Shqipëria ka përfunduar përgatitjet teknike për pesë kapituj të tjerë, mes tyre edhe Kapitullin 21.
“Puna ka përfunduar nga pikëpamja teknike dhe në javët që vijnë pritet vlerësimi pozitiv i Komisionit Evropian dhe fillimi i diskutimeve në COELA dhe COREPER”, tha Dhuka.
Paraqitja e projektpozicionit në COELA tregon se diskutimi në nivelin e grupit të punës ka nisur për Kapitullin 21.
Megjithatë, Komisioni Evropian ka theksuar se kalendari për mbylljen e kapitujve mbetet indikativ dhe nuk paragjykon ritmin apo rezultatin e negociatave.
Sipas udhërrëfyesit, Shqipërisë i mbeten 31 kapituj për t’u mbyllur, me objektivin e autoriteteve shqiptare për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027.