Politike
Shqipëria nis betejën kundër hepatiteve virale, miratohet Plani Kombëtar për eliminimin deri në 2030
Shqipëria ka miratuar për herë të parë Planin Kombëtar për Eliminimin e Hepatiteve Virale, duke iu bashkuar objektivit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe vendeve evropiane për eliminimin e hepatiteve B dhe C si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030.
Plani i ri synon të ndryshojë qasjen ndaj këtyre sëmundjeve, duke vendosur fokusin te parandalimi, rritja e survejancës, diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi në kohë i pacientëve.
Sipas autoriteteve shëndetësore, dokumenti nuk përbën vetëm një strategji afatgjatë, por një angazhim konkret për zgjerimin e testimeve, përmirësimin e aksesit në trajtim dhe afrimin e shërbimeve shëndetësore më pranë qytetarëve.
Qendrat e specializuara do të vijojnë të kenë një rol të rëndësishëm në menaxhimin e rasteve, ndërsa synohet forcimi gradual i shërbimeve rajonale, kujdesit parësor dhe kapaciteteve diagnostikuese në të gjithë vendin.
Një nga objektivat kryesore të planit është zgjerimi progresiv i mundësive për trajtim, në mënyrë që kujdesi të mos ofrohet vetëm në fazat e avancuara të sëmundjes, por edhe në stadet e hershme, kur ndërhyrja është më efektive.
Hepatitet virale B dhe C konsiderohen ndër shkaktarët kryesorë të cirrozës dhe kancerit të mëlçisë. Për këtë arsye, lufta ndaj tyre shihet edhe si pjesë e strategjisë më të gjerë për parandalimin e sëmundjeve tumorale.
Plani është hartuar përmes bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare, ekspertëve të fushës dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke u mbështetur në rekomandimet e OBSH-së dhe standardet evropiane për kujdesin shëndetësor.
Objektivi i vendosur është ulja e rasteve të reja të infeksioneve, rritja e numrit të diagnostikimeve dhe trajtimeve në kohë, si dhe reduktimi i komplikacioneve të rënda si cirroza dhe kanceri i mëlçisë.
Me këtë nismë, Shqipëria nis një proces afatgjatë për eliminimin e hepatiteve virale dhe ndërtimin e një sistemi shëndetësor më parandalues, më të aksesueshëm dhe më pranë nevojave të qytetarëve.