Connect with us

Bota

Sulmi i SHBA dhe Izraelit, mediat e Teheranit: Sulmohet një shkollë në Minab, 5 të vdekur

Sulmet izraelite/ Media në Teheran: Goditet një shkollë në Minab, vdesin 5 nxënëse

1772275890_download.avif
Pesë nxënëse raportohet se kanë vdekur gjatë sulmit izraelit ndaj qytetit iranian Minab, në provincën jugore Hormozgan. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA, sulmi goditi një shkollë fillore vajzash.

Irani në shënjestër edhe Jordaninë, Mbrojtja: Kapëm dy raketa

Ushtria jordaneze thotë se mbrojtja e saj ajrore ka kapur dy raketa balistike që kishin në shënjestër vendin.Banorët e kryeqytetit Aman thanë se dëgjuan shpërthime të forta dhe sirena sulmesh ajrore.

Lufta në Lindjen e Mesme, reagojnë liderët botërorë. BE: Prioritet, respektimi i të drejtës ndërkombëtare. Australia: Mbështesim SHBA-në

 Udhëheqësit dhe autoritetet botërore kanë filluar të reagojnë ndaj lajmit se SHBA-ja dhe Izraeli kanë kryer sulme ndaj Iranit, ndërsa Teherani po u përgjigjet këtyre sulmeve me goditje të veta në Lindjen e Mesme.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, i quajti zhvillimet “të rrezikshme” dhe tha se kishte folur këtë mëngjes me ministrin e jashtëm të Izraelit. “Mbrojtja e civilëve dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare humanitare janë prioritet,” shkroi ajo në X.

Ministria e Jashtme e Zvicrës tha se është “thellësisht e alarmuar nga sulmet e sotme të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit”, duke u bërë thirrje “të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje maksimale dhe të mbrojnë civilët dhe infrastrukturën civile”.

Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, tha se po i ndjek zhvillimet e fundit “me shqetësim të madh”, duke shkruar në X se “po dëshmojmë një përshkallëzim serioz të tensioneve rajonale, duke rrezikuar paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme”.

Ministria e Jashtme e Ukrainës shkroi në X se “regjimi në Teheran kishte çdo mundësi për të parandaluar një skenar të dhunshëm”, duke shtuar: “Rikonfirmojmë qëndrimin tonë të palëkundur: dëshirojmë siguri, prosperitet dhe liri popullit iranian, si dhe stabilitet dhe prosperitet Lindjes së Mesme.”

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, tha se vendi i tij “mbështet Shtetet e Bashkuara në veprimet për të parandaluar Iranin nga sigurimi i një arme bërthamore”, duke shkruar gjithashtu në X se “Australia qëndron me popullin e guximshëm të Iranit në luftën e tij kundër shtypjes”.

Ambasadat e Indisë në Izrael dhe Iran këshilluan shtetasit indianë në këto vende të “tregojnë kujdes maksimal”, të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të monitorojnë situatën.

Lajmi kryesor…

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën një sulm ndaj Iranit këtë të shtunë në atë që e cilësuan si ‘sulm parandalues’. Njoftimin e bëri ministri i mbrojtjes, Israel Katz teksa shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin, për shkak të pritjes së një kundërpërgjigje nga Irani me dronë dhe raketa balistike.
Sipas njoftimeve, objektivat e sulmeve amerikane në Iran përfshinin parlamentin, presidencën, Këshillin Suprem të Sigurisë Kombëtare, Ministrinë e Inteligjencës, Organizatën e Energjisë Atomike të Iranit dhe, më e rëndësishmja, kompleksin e Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei. Kjo u raportua nga transmetuesi amerikan Fox News, duke cituar një listë objektivash të atribuuara sulmeve amerikane. Transmetuesi gjithashtu pretendoi se sulme kibernetike ishin kryer edhe kundër mediave iraniane, përfshirë agjencinë shtetërore të lajmeve IRNA.
Në kundërpërgjigje, regjimi iranian ka nisur filluar sulme raketore në Joridani, Bahrein dhe Katar. Kryeqyteti i Bahreinit, Manama, është goditur pasi një bazë amerikane në kryeqytet u sulmua me raketa. Në të njëjtën kohë që Bahreini po goditej, shpërthime të shumta dhe të fuqishme u dëgjuan edhe në kryeqytetin e Katarit, Doha, disa minuta pasi Ministria e Mbrojtjes e Katarit njoftoi se të gjitha raketat e lëshuara nga Irani ishin interceptuar.

 

Advertisement