Kronike
ZBARDHEN DETAJE TE REJA NGA VRASJA NE KAVAJE
Detaje të reja kanë dalë për sa i përket ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Agonas të Kavajës, ku si pasojë e një konflikti mes dy vëllezërve ka humbur jetën njëri prej tyre, shtetasi M. Rr., 74-vjeç.
Sipas raportimeve, viktima kishte shkuar për të marrë dengje bari me zetor në arë, ku pasi i kishte ngarkuar, gjatë kthimit ishte takuar me vëllain e tij më të madh, shtetasin M. Rr., 76 vjeç, autori i vrasjes. Burimet bëjnë me dije se 76-vjeçari i kishte thënë vëllait të mos kalonte në atë rrugë, ndërsa ky i fundit e kishte shtyrë me zetor.
Pas konfliktit verbal, 76-vjeçari ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur vëllain e tij 3-4 herë. Ndërkohë, nga burimet mësohet se autori ka shprehur pendesë pas ngjarjes. Gjithashtu, mësohet se 76-vjeçari ushtronte detyrën e kryeplakut të fshatit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 në fshatin Agonas, ku dy vëllezërit ndodheshin në arë duke mbledhur bazën ushqimore për blegtorinë.
Pas konfliktit i plagosuri u transportua menjëherë për ndihmë mjekësore, por për shkak të plagëve të marra nuk mundi të mbijetojë dhe ndërroi jetë në spital.