Rajon
Vuçiç i ofron BE-së shitjen e armëve për Ukrainën: Blini gjithçka që kemi, pastaj bëni ç’të doni me to
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se Beogradi është gati t’i shesë Bashkimit Evropian armatime dhe municion, duke theksuar se ku do të përfundojnë këto furnizime nuk është më çështje e Serbisë, por e blerësve.
Në një intervistë të fundit, Vuçiç tha se Serbia ka rezerva të mëdha municioni dhe prodhimi në vend është rritur ndjeshëm, veçanërisht për predhat e mortajave, duke shtuar me krenari se Beogradi prodhon më shumë municion se Franca.
“Ne kurrë nuk e kemi vënë Evropën në rrezik. Përkundrazi, depot tona janë plot dhe ne prodhojmë edhe më shumë. Nuk dua të shihem si dikush që furnizon palët ndërluftuese, por municioni është i nevojshëm në Evropë. Prandaj, u kam ofruar miqve tanë në BE të nënshkruajnë kontratë me ne dhe të marrin gjithçka që kemi. Kjo do të ishte një kontribut fenomenal për sigurinë evropiane”, tha Vuçiç.
Deklarata e Vuçiçit vjen në një moment të ndjeshëm për politikën e jashtme serbe, mes balancimit të marrëdhënieve me Rusinë dhe presioneve në rritje nga Perëndimi për t’u pozicionuar më qartë në lidhje me luftën në Ukrainë.