Connect with us

Aktualitet

Zbardhen djegiet e automjeteve në seri në Pogradec/ Shpallet në kërkim porositësi

Policia ka zbardhur djegiet e automjeteve në seri në qytetin e Pogradecit. Në lidhje me këtë është arrestuar një 38-vjeçari dhe është shpallur në kërkim porositësi i tij.

Sipas policisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se ata kanë organizuar dhe kryer djegien e dy automjeteve në lagjen nr.1 të Pogradecit, në periudha të ndryshme kohore. Gjithashtu nisi procedimi penal edhe për një 21-vjeçar, banues në Korçë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Njoftimi i policisë

Policia e Pogradecit ka finalizuar operacionin e koduar “The last fire”, duke zbardhur dy raste të djegieve të qëllimshme të automjeteve të ndodhura në qytet, njëra në muajin dhjetor dhe tjetra tre ditë më parë.

Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, pas një pune intensive hetimore për ngjarjet e datave 28.12.2025 dhe 26.02.2026, kanë arritur të identifikojnë dhe vënë para përgjegjësisë ligjore personat e dyshuar.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u arrestua shtetasi J. T., 38 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim porositësi i dyshuar, shtetasi E. F., 38 vjeç, banues në Korçë. Dy 38-vjeçarët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë organizuar dhe kryer djegien e dy automjeteve në lagjen nr.1 të Pogradecit, në pronësi të shtetasve A. M. dhe E. M., në periudha të ndryshme kohore.

Në kuadër të hetimeve, materialet u referuan në Prokurori dhe nisi procedimi penal edhe për shtetasin J. L., 21 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim

Advertisement