Connect with us

Kosova

Mbahen zgjedhjet në veri të Kosovës, Lista Serbe bojkoton procesin

Ditën e sotme mbahen zgjedhjet në veri të Kosovës, në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur kontejnerë nëpër rrugët kryesore në veri, që do të shërbejnë si qendra votimi. Policia e Kosovës tha se ka marrë të gjitha masat për një mjedis të sigurt gjatë procesit zgjedhor. Të hapura do të jenë 19 qendra votimi, 13 prej tyre të vendosura në kontejnerë. Numri i përgjithshëm i qytetarëve që mund të votojnë, sipas KQZ-së, është 45.095.

Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantiq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.

Pritjet janë që pjesëmarrja të jetë e ulët, meqë Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, u kanë bërë thirrje qytetarëve që të votojnë në zgjedhje.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Advertisement