Connect with us

Kosova

Serbisë i duhet Kosova e pavarur për të dalë nga iluzionet dhe gabimet e saj nga e kaluara

“Serbisë i duhet një Kosovë e pavarur për të dalë e pastër nga gabimet dhe krimet e së kaluarës dhe për të orientuar zhvillimin e saj drejt të ardhmes në përgjithësi, dhe nuk e shoh të mundur evropianizimin e Kosovës pa evropianizimin e Serbisë” – Kështu tha Nikola Samarxhiç, historian dhe profesor i shquar në Fakultetin Filozofik në Beograd.

“Në këtë kuptim, unë jam i mendimit se Beogradi dhe Prishtina duhet të jenë nën presion për të përmbushur detyrimet e tyre, që nënkupton se në një të ardhme të afërt të jenë pjesë e Bashkimit Europian” – theksoi Samarxhiç, duke shtuar se Serbia duhet të respektojë jo vetëm realitetin në Malin e Zi dhe Kosovë, të cilat janë shtete të pavarura nga Beogradi, por edhe nevojën që Serbia të përcaktojë kufijtë e saj.

Përsa i përket qëndrimit të Perëndimit ndaj Vuçiçit dhe Serbisë, ai u shpreh  se Perëndimi ka filluar të reagojë shumë vonë ndaj problemeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Dhe ndërsa korrupsioni është politik, jo vetëm ekonomik, dhe po i referohem ndikimit rus dhe kinez, ekzistojnë dy pika të rëndësishme të bastionit ekonomik të Vuçiçit – veriu i Kosovës dhe porti i Tivarit – nga ku transportohen substanca ilegale” – potencoi Samarxhiç duke shtuar edhe se  transferimi i substancave të paligjshme është një shpjegim për bumin ekonomik me të cilin, Vuçiç deri vonë ka bërë të lumtur klasën e mesme.

Samarxhiç gjithashtu beson se forcat e shtuara të KFOR-it në veri të Kosovës për momentin po kontribuojnë në ndarjen e Kosovës, duke kujtuar deklaratën e fundit të kryetarit të Listës Serbe, në të cilën ai shprehet i kënaqur me përforcimet e miratuara nga KFOR-i në kuptimin që ata respektojnë angazhimet e marra dhe se ai u beson atyre.

“Situata bëhet edhe më absurd teksa shohim se Perëndimi ka sanksionuar Kosovën dhe jo Serbinë dhe miqtë e saj në Bosnje dhe Malin e Zi, ndërsa Bashkimi Europian ndjek një politikë diskriminuese ndaj myslimanëve të Ballkanit, të cilët kanë të drejtë të jenë evropianë po aq dhe më shumë se myslimanët në Gjermani apo Francë” – potencoi Nikola Samarxhiç.

Advertisement