Politike
15 ditë larg zgjedhjeve/ Dumani, Çela dhe Celibashi raportojnë para ambasadorëve, të pranishëm OSBE dhe BE

Ambasada Gjermane në Tiranë është interesuar se si po zbatohen në terren strategjitë e bashkëpunimit për të hetuar krimet zgjedhore, tashmë që 15 ditë na ndajnë nga data e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani; prokurori Përgjithshëm Olsian Çela dhe kryekomisoneri Ilirjan Celibashi, ishin të ftuar të ftuar nga ambasadori gjerman Karl Bergner për të ndarë me të gjetjet e deritanishme në terren. Por nuk ishte i vetëm pasi në krah të tij kishte edhe ambasadorin e Britanisë së Madhe dhe Francës.
Po ashtu, në këtë takim ishte i pranishëm edhe kreu misionit të vëzhgimit të OSBE – ODIHR Lamberto Zanier dhe përfaqësues nga delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri. Pas takimit, Ambasada ndau një mesazh duke theksuar se nga krerët e institucioneve të drejtësisë, morën një përmbledhje të ankesave të marra dhe procedimeve të nisura deri më sot
“Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Prokurori i Përgjithshëm dhe Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) informuan sot ambasadorët dhe Shefin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it në Ambasadën Gjermane në Tiranë mbi gjendjen aktuale të përpjekjeve të përbashkëta për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore.
Brifing përfshiu gjendjen aktuale të aktiviteteve në të gjithë territorin e Shqipërisë, një përmbledhje të ankesave të marra dhe procedimeve të nisura deri më sot, si dhe statusin e bashkëpunimit me aktorë të tjerë përkatës. Bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve shqiptare të përfshira dhe efekti parandalues i veprimtarisë së përbashkët ndaj krimeve zgjedhore u mirëprit nga pjesëmarrësit. Ambasadorët përshëndetën angazhimin e aktorëve shtetërorë dhe politikë shqiptarë për zgjedhje të lira dhe të ndershme më 11 maj. Organizimi i këtyre zgjedhjeve do të jetë një tregues i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike të vendit, gjithashtu në lidhje me aspiratën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE,“-shkruan Ambasada Gjermane.
I njëjti takim u mbajt pak kohë më parë në ambasadën britanike.

